Edicioni aktual nuk ka qenë më i miri për mesfushorin e Kosovës, Besar Halimi. Ai luan për Brondbyn në kampionatin danez, ndërsa nuk e ka pasur deri më tash shkëlqimin që e kishte edicionin e kaluar (2017/18). Megjithatë, mesfushori pret që gjërat të ndryshojnë për fazën përfundimtare të edicionit 2018/19.
Paraqitjet me Kosovën i kanë dhënë më shumë besim lojtarit 24-vjeçar. Në ndeshjen kualifikuese ndaj Bullgarisë, të hënën, Halimi u aktivizua prej minutës së 58-të, në vend të Bersant Celinës, shkruan sot “Koha Ditore”. U vlerësua se solli freski në mesfushën e Kosovës në barazimin 1:1. Ndërkohë, në miqësoren ndaj Danimarkës (2:2), Halimi startoi dhe luajti deri në minutën e 81-të.
Paraqitja për Kosovën pritet t’i ndihmojë Halimit për të përmirësuar gjendjen në klub, ndërsa efektin e njëjtë pritet ta ketë edhe për lojtarë të tjerë të Përfaqësueses. Në të vërtetë, një grup i lojtarëve të Përfaqësueses po kalon formë të lartë dhe për momentin nuk kanë nevojë që me shkëlqim në Përfaqësuese të stabilizojnë veten te skuadrat.
Në këtë grup bëjnë pjesë Arbër Zeneli, Milot Rashica, Bersant Celina, Vedat Muriqi, Hekuran Kryeziu, Benjamin Kololli, Mërgim Vojvoda. Edhe për ta paraqitja e mirë me Përfaqësuese ka vlerë, por më me peshë paraqitjet me Kosovën vlerësohen të jenë për grupin e lojtarëve që nuk janë shumë stabil në skuadrat e tyre, apo për ata që nuk kanë nisur ende edicionin.
Halimi është njëri prej tyre dhe ka pranuar ndikimin e Përfaqësueses.