Shefi-ekzekutiv i Asociacionit Profesionist të Futbollit (PFA), Gordon Taylor, ka thënë se pritet të konsiderohen pjesëlojë më të shkurtra se 45 minuta, kur të rikthehet futbolli në Premier League, pas pauzës së detyrueshme shkaku i Coronavirusit.
Diskutimet për rikthimin e Premier Leagues po vazhdojnë, por Taylor thotë se lojtarët janë të shqetësuar për sigurinë e tyre.
“Ata nuk janë budallenj. Duhet të binden se është sigurt”, ka thënë Taylor për “BBC Radio 4”. “Nuk e dimë për të ardhmen, por e dimë se çfarë propozime janë bërë, mundësia për të pasur më tepër zëvendësime, ndeshjet të mos luhen me 45 minuta të plota në pjesëlojë, e po ashtu edhe ndeshjet në stadiume neutrale. Ideale do të ishte që të rruhej integriteti i garës, dhe sigurisht, të kenë klubet mundësinë të luajnë në stadiume të tyre dhe të kenë skuadrat e njëjta që i kishin para pezullimit. Por, fakti se je në një sport profesionist, duhet të jesh shumë elastik. Duhet të jesh në gjendje të rikthehesh, pasi do të marrësh më tepër goditje sesa që do të kesh kohë të mira.
Premier League ka thënë se nuk është opsion zvogëlimi i minutazhës së ndeshjeve.
Kryetari i Ligës së Futbollit, Rick Parry ka thënë se nuk ka pasur diskutime për këtë, por i ka thënë Departamentit të Digjitalizmit, Kulturës, Mediave dhe Sportit se nuk mund të përjashtohen idetë kreative.
Premier League po shpreson të rifillojë më 8 qershor. Nuk është dhënë ndonjë datë për vazhdimin e garave në kategoritë më të ulëta në Angli, por Parry thotë se ky stinor duhet të përfundohet deri më 31 korrik.
Ish-sulmuesi i Watfordit, Marvin Sordell ka thënë se Premier League duhet të marrë në shqyrtim edhe situatën personale të lojtarëve dhe të kuptojë nëse lojtarët refuzojnë të rikthehen në fushë.
“Ka disa lojtarë që jetojnë vet, kështu nuk do të kenë frikë se mund t’ia bartin virusin familjarëve. Por, ke lojtarë që jetojnë me prindërit apo janë të vetmit që mund t’i sjellin ushqim prindërve. Po ashtu mund të kenë bashkëshorten shtatzënë dhe fëmijë të vegjël apo ndonjë familjar me probleme shëndetësore. Vet ndonjë lojtar mund të ketë probleme të mëhershme shëndetësore. Duhet të merren parasysh gjitha këto, pasi nuk të duhet në situatë ku i detyron njerëzit të kthehen apo ku ata refuzojnë të bëjnë këtë”, ka thënë Sordell, që është pensionuar nga futbolli verën e kaluar.
Sekretari i shëndetësisë i Britanisë, Matt Hancock është i hapur për rikthimin e Premier Leagues.
“Unë jam absolutisht i hapur për rikthimin e futbollit dhe garave të kalërimit dhe e di se Premier League dhe organizatorët e garave të kalërimit po punojnë se si të bëhet kjo në mënyrën më të sigurt, por siguria duhet të jetë prioritet”, ka thënë sekretari i shëndetësisë i Britanisë, Matt Hancock për BBC.