Kampionati evropian i peshëngritjes për garuesit juniorë dhe të grupmoshës U-23 vlerësohet me shumë peshë për Spanjën. Por Spanja ka rrezikuar shumë seriozisht së fundi që të humbasë organizimin e këtij kampionati, të paraparë për muajin tetor.
Ishte Qeveria e Spanjës që kundërshtoi pjesëmarrjen e garuesve të Kosovës në këtë evropian, dhe për këtë Federata Evropiane e Peshëngritjes e kërcënoi Spanjën me marrjen e së drejtës për të organizuar ngjarjen, shkruan sot “Koha Ditore”.
Federata Evropiane i ka dhënë Spanjës afat prej tri javësh për të reflektuar për vendimin. Dhe kjo pritet të bëhet – Spanja pritet të ofrojë garanci se do të lejojë garuesit e Kosovës në Evropian.
Spanja është një prej vendeve që nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe që paraqet pengesa për pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në ngjarjet sportive që mbahen në këtë vend. Janë disa vende që paraqesin pengesa të tilla, ndërsa natyrisht prin Serbia.