Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka prit sot në takim ndihmës sekretarin gjeneral të OKB-së për Evropë, Azinë Qendrore dhe ShBA, Miroslav Jenca, me të cilin ka diskutuar për proceset politike në Kosovë, arritjet e shtetit të Kosovës në shumë fusha dhe aspiratat në të ardhmen.
Kreu i legjislativit konfirmoi se shteti i Kosovës është i përkushtuar në avancimin e demokracisë së brendshme, zhvillimin ekonomik dhe rrugëtimin euro-atlantik. Veseli shtoi se Kosova me politikën e vet të fqinjësisë së mirë, kontribuon në stabilitet, paqe, dialog dhe bashkëpunim në rajon.
Kreu i Kuvendit tha në takim se nëpërmjet dialogun me Serbinë, Kosova synon arritjen e marrëveshjes obligative ligjore nga e cila Kosova do të njihet si shtet i pavarur dhe sovran nga shteti serb dhe në të ardhmen e afërt të bëhet anëtare me të drejta të plota e OKB-së.
Veseli e ka informuar ndihmës sekretarin gjeneral të OKB-së edhe për nismën e tij në kuadër të ballafaqimit me të kaluarën dhe ndëshkimit të krimeve të luftës të bëra nga Serbia.
Me këtë rast, ai ka kërkuar ndihmën e tij, që OKB-ja të marrë në konsideratë peticionin e vitit 2014 që përmban mbi 115 mijë nënshkrime, përmes të cilit kërkohet drejtësi për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë.
Po ashtu, Kryeparlamentari Veseli ka theksuar se është e padrejtë mospërfshirja e dhunës seksuale gjatë luftë së Kosovës, në raportet e përvitshme të OKB-së, duke shtuar se pa të vërtetën dhe pa drejtësinë, vështirë se mund të ketë paqe dhe pajtim.
Sekretari gjeneral i OKB-së për Evropë, Azinë Qendrore dhe SHBA, Miroslav Jenca, foli për qëllimin e vizitës së tij, i cili ishte prezantimi i punës të Kombeve të Bashkuara në vend.
Sekretari gjeneral i OKB-së dhe Kryeparlamentari poashtu diskutuan për forcimin e bashkëpunimit midis vendeve të rajonit në Ballkanin Perëndimorë.
Wilson më pas është takuar edhe me Kryeministrin Ramush Haradinaj.