Ndër elementët më të rëndësishëm të fushatave reklamuese dhe marketingut, janë fotografitë. Ato mund të bëjnë që një klient potencial të vazhdojë të interesohet për produktin tuaj, ose ta harrojë atë menjëherë. Shprehja e famshme e vjetër “Një foto vlen sa 1000 fjalë”, sot është më e vërtet se kurrë ndonjëherë. Njerëzit sot i duan gjërat shpejt dhe të qarta. Nëse diçka nuk i plotëson këto kushte, atëherë kalojnë tek tjetra.
Fotografitë e shkëlqyera mund të shpërndajnë një mesazh me shpejtësi dhe të tregojnë 1000 fjalë duke mos thënë në fakt asnjë fjalë. Fotot e mira e kapin menjëherë vëmendjen e audiencës dhe pas kësaj pike, kësaj audience është më e lehtë t’ia transmetosh pjesën tjetër të mesazhit.
Ne jemi njerëz që shqisa e të parit, mban vendin e parë. Duket lojë fjalësh, por është e vërtetë. Informacioni që shkon në tru nga sytë tanë, zë vendin më të madh në informacionin total që dërgohet në tru nga shqisat e tjera. Por kjo nuk përfundon këtu, pasi ne kemi edhe aftësinë që të vizualizojmë (imagjinojmë) diçka që në fakt nuk e shohim me sy.
Ndërsa shohim fotografinë e reklamës së thikave WMF, në mendjen tonë imazhi zbërthehet në qindra fjalë dhe mendime. Mund të na vijë të qeshim, mund të mendojmë se sa e mrehtë duhet të jetë një thikë për të prerë edhe dërrasën, mendojme që thika jonë nuk do e bënte kurrë një gjë të tillë, pyesim veten çfarë është kjo kompani që shet këto thika, sa mund të kushtojnë, etj. Me të gjithë këto mendime dhe pikëpyetje në kokën tonë, mund të themi që reklama ia ka arritur qëllimit. Një pjesë e mirë e njerëzve, do të kërkojë më tepër informacion për t’ju përgjigjur pyetjeve që kanë rreth produktit dhe rrjedhimisht disa prej tyre edhe do të kryejnë blerjen.
Një foto ideale për reklamë, duhet të transmetojë të njëjtin mesazh që transmeton tek audienca edhe një spot televiziv 30 sekondësh, në të cilin ka edhe të folur, muzikë dhe efekte vizuale nga më të shumëllojshmet. Këtu qëndron vështirësia. Mënyra më e mirë për të realizuar diçka të tillë është nëpërmjet artit. Jo çdo njeri ka sy për fotografi. Ashtu siç jo çdo njeri është i zoti për gjithçka. Disa janë më të aftë për të pjekur bukë, disa për të lyer muret, disa për të rregulluar një makinë, ndërsa disa për të bërë fotografi.
Fotografët profesionistë janë të trajnuar, kanë eksperimentuar me vite me mënyra të ndryshme ndriçimi, kënde të ndryshme, etj. Për më tepër ata kanë aparatet e duhur fotografikë dhe programet e përshtatshme kompjuterike. Një fotograf i mirë nuk duhet të fiksojë thjesht një imazh, por duhet të kapë momentin, ndjesinë dhe të krijojë mesazhin që e bën një fushatë reklame jo të mirë, por të shkëlqyer.
Këshilla për ju menaxherë është që së pari të përfshini edhe fotografitë në fushatat reklamuese (për t’u përdorur në billboarde, revista, internet, etj. E së dyti, që të zgjidhni fotografët e duhur për të realizuar ato foto, që të jenë sa më të goditura, të kapshme dhe tërheqëse për njerëzit.
Herës tjetër që shihni një reklamë diku në një revistë apo në internet, pyesni për një moment veten se çfarë ju tërhoqi vëmendjen që vazhduat të lexonit mesazhin e asaj reklame. Me shumë mundësi, ishte prej një fotografie të shkëlqyer.