Ndizet debati rreth marketingut të filmit të shumëpërfolur “The Drama”

Prishtinë | 11 Pri 2026 | 18:46 | Nga Ekonomia Online

Debati rreth marketingut të filmit “The Drama” ka ndezur diskutime: a ishte promovimi i tij një strategji e mrekullueshme apo mashtruese për publikun?

Në qendër të vëmendjes ishte aktorja Zendaya, e cila gjatë turneut promovues ka krijuar një narrativë të tërë rreth martesës përmes veshjeve të saj në tepihun e kuq.

Ylli ka treguar për Variety se ajo dhe stilisti i saj, Law Roach, janë frymëzuar nga shprehja tradicionale “something old, something new, something borrowed, something blue” që në shqip nënkupton që në ditën e dasmës nusja duhet të ketë diçka të vjetër, diçka të re, diçka të huazuar dhe diçka të kaltër, duke e kthyer stilin në pjesë të tregimit të filmit.

Nga një fustan i bardhë i vjetër, apo “vintage” i disenjatores Vivienne Westwood, te një dizajn i ri nga brendi “Louis Vuitton” dhe një fustan i huazuar nga aktorja Cate Blanchett, çdo paraqitje e Zendayas simbolizonte një fazë, madje fansat vunë re se veshjet kalonin nga të lehta në më të errëta, duke reflektuar tonin e filmit. Në paraqitjen e saj të fundit në tepihun e kuq, aktorja u shfaq e veshur me një fustan të errët me pupla të kaltra nga brendi i mirënjohur i veshjeve “Schiaparelli”.

Filmi, me protagonistë Zendayan dhe aktorin Robert Pattinson, paraqitet fillimisht si një histori romantike për një çift që përgatitet për martesë.

Por në realitet, ai është një romancë e errët me një kthesë tronditëse pasi personazhi i Zendayas zbulon një sekret të rëndë nga e kaluara e saj, që vë në pikëpyetje gjithë marrëdhënien.

Sipas Variety, studioja filmike “A24” ka ndërtuar një fushatë marketingu shumë kreative për ta fshehur këtë kthesë. Fushata nisi me një “njoftim fejese” të rremë në gazetë, pa logo apo shenja reklame, sikur të ishte një lajm i vërtetë.

Më pas, u krijua një faqe interneti që imitonte një ftesë për dasmë, madje u hap edhe një mundësi njëditore martese në një kishë Las Vegas, ku çifte reale mund të martoheshin “në stilin e filmit”.

Ky promovim romantik qëllimisht nuk tregonte sekretin e errët të historisë, por vetëm e sugjeronte atë.

Nga njëra anë, ekspertët e marketingut e vlerësojnë këtë si një strategji shumë të zgjuar.

“Duhet të premtosh që ka një sekret të madh, përndryshe njerëzit mendojnë se është thjesht një komedi romantike”, ka thënë profesori Russell Schwartz.

Por nga ana tjetër, kritikët thonë se publiku mund të jetë ndjerë i mashtruar, sidomos për shkak të temës së ndjeshme të filmit.

“Mënyra si është promovuar ky film nuk përputhet me realitetin që trajton. Presim më mirë nga ‘A24’ dhe artistët”, thuhet në reagimin e ashpër të organizatës March of Our Lives.

Edhe familjarë të viktimave të dhunës me armë kritikuan filmin, duke e cilësuar kthesën si problematike.

Megjithatë, pavarësisht polemikave, filmi pati një hapje të fortë në arkëtime, duke treguar se strategjia, qoftë edhe e diskutueshme, funksionoi në tërheqjen e publikut.

Ekspertët theksojnë se në raste të tilla, edhe kritikat bëhen pjesë e marketingut.

“Kur një film ndërtohet rreth një sekreti, reagimi pas zbulimit bëhet pjesë e fushatës. Fjala e gojës është vetë reklama”, ka thënë Schwartz.

Në fund, suksesi i filmit lidhet edhe me popullaritetin e aktorëve, sidomos Zendayas, si dhe interesin e madh të publikut për jetën e saj personale, përfshirë lidhjen me aktorin Tom Holland.

Pyetja mbetet: a është publiku i gatshëm të pranojë një “befasi” të tillë në kinema, apo kërkon më shumë transparencë? Debati rreth “The Drama” tregon se kufiri mes marketingut brilant dhe atij mashtrues është shumë i hollë.

Të ngjashme