Rreth katër mijë e 700 zyrtarë të lartë që punojnë në institucionet e Kosovës, janë të obliguar që çdo vit të deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Por, jo të gjithë i respektojnë afatet dhe ligjin për deklarimin e pasurisë.
Vetëm gjatë vitit 2018, Agjencia Kundër Korrupsion ka zhvilluar procedurën e hetimeve paraprake në gjithsej 390 raste. Nga këto raste, sipas AKK-së, në Zyrën e kryeprokurorit të Shtetit janë përcjellë 105 kallëzime penale.
Edhe këtë vit, sipas zyrtarëve të Agjencisë Kundër Korrupsion, rreth katër mijë e 700 zyrtarë të lartë publikë e kanë pasur për obligim deklarimin e pasurisë, mirëpo ende nuk dihet saktë numri i atyre që kanë shmangur deklarimin e pasurisë së tyre.
Drejtori i Departamentit për parandalim të korrupsionit në Agjencinë e Kosovës Kundër Korrupsionit, Afrim Atashi, thotë për Radio Evropa e Lirë se AKK-ja është në fazën e verifikimit të listave.
“Deklarimin e pasurisë e kanë pasur për obligim rreth 4 mijë e 700 zyrtarë të lartë publikë. Njëherë e kemi verifikimin e listave se kush e ka deklaruar e kush s’e ka deklaruar, (për)ata që nuk kanë arsyetime ligjore, bazë ligjore, që s’e kanë deklaruar në afatin e paraparë, sigurisht se duhet të bëhen kallëzime penale për të gjithë ata që s’e kanë deklaruar pasurinë, sepse është vepër penale mosdeklarimi i pasurisë në kohën e paraparë ligjore”, thotë Atashi.
Për personat që kanë deklaruar pasurinë, Agjencia Kundër Korrupsion, pritet të bëjë publikimin e formularëve në muajin qershor. Rreth 20 për qind e zyrtarëve publikë që e kanë deklaruar pasurinë, do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë për të vërtetuar saktësinë e asaj që kanë deklaruar ata në formularë.
Drejtori i Departamentit për parandalim të korrupsionit në AKK, Afrim Atashi, shpjegon se në rast të mospërputhjes së të dhënave në formularë, atëherë zyrtarët do të dërgohen në Prokurori.
“Ata persona që kanë mospërputhshmëri edhe kanë deklaruar rrejshëm, ne i verifikojmë përmes institucioneve. Të gjithë ata që kanë mospërputhshmëri, sigurisht se agjencia e ka të drejtën që të bëjë kallëzime penale në prokuroritë kompetente”, shpjegon Atashi.
Në fund të muajit mars, gjatë prezantimit të raportit për vitin 2018, drejtori i AKK-së, Shaip Havolli, deklaroi se për shkak të mosdeklarimit të pasurisë në Prokurori të Shtetit, për t’u ndjekur penalisht kanë përfunduar shumë zyrtarë të lartë institucionalë, duke përfshirë deputetë, zëvendësministra si dhe emra të tjerë publikë. Mirëpo, deri më tani, asnjë nga emrat nuk është bërë publik.
Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës dyshon në vërtetësinë e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë, sidomos të atyre politikë. Spahija thotë se Prokuroria e Shtetit do të duhej që të hetonte më tepër aspektin financiar të zyrtarëve të lartë shtetërorë.
“Ideale do të ishte sikur Prokuroria ta hetonte më tepër aspektin financiar të zyrtarëve të lartë shtetërorë, pra pasurimin e tyre e agjencia me ekspertizën që ka, do të mund t’i jepte ndihmë Prokurorisë së Shtetit në këto raste. Pra, hetimin financiar që e bën agjencia, ta bëjë edhe për Prokurorinë në rast se Prokuroria dyshon për veprime kriminale”, shprehet Spahija.
Qëllimi kryesor i procesit të deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion është që të identifikohen rastet e krijimit të pasurive të jashtëligjshme nga zyrtarët e lartë publikë në Kosovë.
Kosova vazhdimisht është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare për nivelin e lartë të korrupsionit dhe mosefikasitetin e sistemit të drejtësisë.
Niveli i lartë i korrupsionit shihet si pengesë në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian.