Njëri ndër kryeadministratorët e parë të Misionit të OKB-së në Kosovë, më vonë edhe ministër i jashtëm i Francës, Bernard Kouchner, në vizitën që i pati bërë Familjes Jashari pati deklaruar me empati se “po të kishte çmim Nobel për liri e sakrificë, pa dyshim që ai do t’i takonte Familjes Jashari”. Pra, narrativi i Kosovës pas luftës ishte tejet pozitiv, human dhe shumë të huaj që punonin në Kosovë e kishin të njëjtën frymë.
Por, kjo fatkeqësisht filloi të ndryshojë, sidomos pas trazirave të marsit 2004, kur Kosova para botës paraqitej si dëmtuese e trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë. Serbia, së bashku me Rusinë dhe aleatë tjerë ia dolën që të krijojnë një sentiment Anti-Kosovë duke theksuar elementin fetar dhe terrorizmin si pika që shqiptarët e Kosovës i bën të rrezikshëm për sigurinë e Evropës. Madje, dhe përfaqësues të BE-së në Kosovë, patën filluar të artikulojnë ndryshe nga ajo që në fakt ishim dhe meritonim, kjo fatkeqësisht as sot nuk është më ndryshe.
Për më tepër, Rusia përmes mekanizmave të saj gjithandej Evropës së bashku me Serbinë dhe miqtë e saj kanë krijuar një sentiment Anti-Kosovë që nuk ka asnjë bazë, por që fatkeqësisht është realitet. Pra, Serbia edhe pse mbi 100 vite ka terrorizuar dhe bërë gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës, ka sot narracion më të mirë në Evropë sesa Kosova, e cila ka luftuar për ndjenjën më humane dhe fisnike që njeh njerëzimi e që është çlirimi nga pushtimi klasik, pra çlirimi nga Serbia. Këtë narracion negativ për Kosovën janë duke e ushqyer rregullisht Rusia, Serbia dhe aleatët e tyre gjithandej globit.
Ky angazhim Anti-Kosovë nga ky akter jo-evropian (Rusia) bashkë me Serbinë e kanë për qëllim që brenda Kosovës të krijojnë kaos e pasiguri, në mënyrë që Kosova të paraqitet para perëndimit dhe botës si shtet i dështuar. Dhe në këtë pikë, nuk është se nuk i është bërë dëm Kosovës nëse i referohemi mosnjohjes së Pavarësisë së Kosovës nga 5 Shtete Anëtare të BE-së, bllokadës ruse (dhe aktorëve t[ tjerë) në Këshillin e Sigurimit me qëllim të pamundësimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe mekanizma tjerë ndërkombëtarë.
Përpos kësaj, ky akter-jo-evropian, pra Rusia, me qëllimin parësor të tij futjen e përçarjes anembanë BE-së investon në destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor siç ishte rasti i tentim puçit në Mal të Zi, dështimi i referendumit në Maqedoni për ndryshim të emrit, hapja e qendrës ‘hulumtuese’ ruse në Nish të Serbisë, involvimet e maskuara në veri të Kosovës dhe obstruksione tjera të dukshme dhe të fshehta.
E Serbia, edhe pse me dy fytyra, njërën kah BE e tjetrën kah Rusia, asnjëherë nuk u kritikua nga BE, madje ajo qysh moti gëzon liberalizimin e vizave, pa marrë parasysh obstruksioneve të vazhdueshme që i bën në Kosovë, Bosnje, Maqedoni e Mal të Zi. Megjithatë, shteti i Kosovës ka vazhduar konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të tij pa marrë parasysh sfidat dhe vështirësitë me të cilat është përballur dhe ende përballet.
Pra, Serbia eksporton në Kosovë mbi 500 milion EUR në vit dhe në anën tjetër nuk lë gurë pa lëvizur për të dëmtuar Kosovën në të gjitha drejtimet e mundshme. Ndërkohë BE as edhe një herë të vetme nuk merr masa sanksionuese ndaj Serbisë, si shteti që së bashku me Rusinë përdor çdo mjet të mundshëm për të sjellë projektin evropian buzë greminës. Obstruksionet e Serbisë ndaj konsolidimit të shtetësisë së Kosovës janë duke u mbështetur nga Rusia. Kjo e fundit ka frikë se mos Serbia do arrijë marrëveshje me Kosovën dhe pastaj të avancojë në rend-ditën evropiane. Pra, Rusia nuk është e interesuar për zgjidhje të problemit të Kosovës por për tejzgjatjen e tij në interes të shtetit rus.
Ndërkohë Kina, përpos investimeve multi-miliardëshe, ka filluar që të paguajë politikanë të ndryshëm të vendeve të BE-së, sidomos ata të Evropës Lindore dhe Jugore që haptazi lobojnë për interesat kineze në BE. Për më tepër Kina ka ndërmarrë mega-iniciativa globale, të cilat si synim parësor kanë qasjen, ndër të tjera, në tregje të Evropës, aspekt ky tejet sfidues për ekonomitë në krizë të BE-së.
Pra, shumë politikanë të BE-së, siç ishte edhe Stefan Fyle, ish-komisioneri i BE-së për Zgjerim, sot janë duke punuar haptazi në favor të interesave kineze dhe këtë është duke e bërë përmes gjigantit kinez CEFC për energji që sipas gazetës Economist është e lidhur me inteligjencën ushtarake kineze.
Pra, ka edhe shumë zyrtarë tjerë çek e besa edhe hungarez që janë vënë plotësisht në funksion të interesave kineze duke dëmtuar kështu rëndë projektin evropian ku Kosova synon të anëtarësohet. Nuk është e rastësishme që Kina preferon marrëveshje bilaterale me Shtete Anëtare të BE-së, përpara atyre multilaterale. Kjo sepse Kina në raporte bilaterale demonstron fuqi dinozaureske përballë çdo Shteti Anëtar të BE-së. Nuk janë të rastësishme flirtimet e vendeve të Evropës Lindore me mega-projektet e mëdha kineze të cilat vetëm një qëllim kanë: depërtimin e plotë nëse jo edhe dominimin në tregun e brendshëm të BE-së.
Rritja e ndikimit të Kinës është duke u bërë e dukshme edhe në fushën zhvillimit dhe inovacionit, ku Kina në vitin 2016 kishte bërë një plan për rritjen e investimeve në hulumtime dhe zhvillim. Jo rastësisht sot Kina jep 233 miliardë dollarë në vit për hulumtime dhe zhvillim që përbën 20% të totalit global për këto investime.
Duke u përqendruar në tri fusha kryesore (gjysmëpërçues, kompjuterë quantum dhe inteligjencë artificiale) pritet që Kina deri në vitin 2030 të dominojë botën në inteligjencë artificiale. Nuk është e rastësishme që sipas World Economic Forum 20 firmat më të mëdha globale të IT-së dhe Internetit janë nga Kina dhe SHBA, pra nuk ka as edhe një firmë të vetme evropiane në këtë mes. Prandaj, Kina është duke investuar gjithandej globit, përfshirë Evropën për të shtyrë përpara agjendën e saj ekonomike globale.
Në anën tjetër, rajoni i Ballkanit Perëndimor është duke u ndikuar çdo ditë e më shumë nga synimet e Turqisë për t’u konsoliduar si fuqi rajonale në Ballkan. Mjafton të shohim investimet turke në Ballkan dhe të bindemi për këtë. Ndërkohë që, BE me Turqinë ka ndërtuar Union Doganor, i cili për hirë të vërtetës është duke funksionuar pa vështirësi.
Pra, neve në Kosovë na thuhet, ose lihet të nënkuptohet që investimet e huaja (perëndimore) s’po mund të depërtojnë në Kosovë si rezultat i korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërkohë që përkundër autoritarizmit në rritje të establishmentit turk, shkëmbimet tregtare mes BE-së dhe Turqisë nuk është se janë në gjendjen më të keqe të mundshme, përderisa raportet politike të BE-së me Turqinë është e qartë se nuk janë në gjendjen më të mirë të mundshme.
Vlen të theksohet se në shumë qarqe të BE-së janë duke u ngritur zëra se akterët jo-evropianë janë duke u treguar shumë më të shpejtë në shtrirjen e investimeve të tyre në Ballkan sesa BE. E tash nëse një gjë e tillë është duke ndodhur, e që në fakt është duke ndodhur, pse qytetarët e Kosovës dhe rajonit duhet të vuajnë nga ngathtësia e BE-së?! Perspektiva e rajonit mbahet gjallë me investime të mëdha në të gjitha drejtimet e mundshme, me rritje të bashkëpunimit dhe përshpejtim të procesit të integrimit evropian, përndryshe ndikimet e akterëve jo-evropianë do të rriten edhe më shumë.
Pra, nëse BE nuk investon mjaftueshëm në Kosovë e Ballkan, atëherë kjo zbrazëtirë sigurisht që do të mbulohet nga akterë jo-evropianë. E pastaj kush duhet të fajësohet? Dikush do të thoshte që BE dhe Shtetet Anëtare të saj s’po mund të investojnë si rezultat i korrupsionit, ndërkohë që aktorët joevropianë nuk po pyesin fare për korrupsion duke qenë vetë të zhytur thellë në të. Dilema tash është se si të dilet nga kjo situatë ku ekonomia e Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi nuk mund të bëjnë më shumë se ç’janë duke bërë pa masa incentive të BE-së dhe Shteteve Anëtare të saj dhe duke ditur që parandalimi dhe luftimi i korrupsionit merr shumë kohë. (Vazhdon)