Telashet për përzgjedhësin e Kosovës në futboll, Bernard Challandes, në prag të ndeshjes kundër Greqisë, janë shtuar edhe më shumë. Në listën e mungesave të mëdha kanë hyrë edhe tre futbollistë që luajtën titullarë në humbjen ndaj Sllovenisë (1:0) të dielën në Prishtinë.
Valon Berisha, Arbër Zeneli dhe Edon Zhegrova nuk kanë udhëtuar fare me përfaqësuesen drejt Athinës të martën, ku pjesa tjetër e ekipit përfaqësues në mbrëmje ka mbajtur stërvitjen e fundit para ndeshjes. Sipas Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), pas ekzaminimeve mjekësore është vërtetuar se lojtarët në fjalë nuk janë të gatshëm të luajnë ndaj Greqisë dhe si rezultat Challandesi duhet të mendojë për lojtarët të cilët do të mund t’i zëvendësojnë.
Ndeshja Greqi – Kosovë luhet të mërkurën (sot) nga ora 20:45 në Athinë.
“Me ekspeditën e Dardanëve nuk udhëtuan Valon Berisha, Arbër Zeneli dhe Edon Zhegrova, për të cilët pas ekzaminimeve mjekësore në mëngjes u konstatua se nuk janë në gjendje të luajnë në ndeshjen kundër Greqisë”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e FFK-së.
Dueli mes Greqisë dhe Kosovës i takon xhiros së katërt të grupit të tretë të ligës C të Ligës së Kombeve. Kosova zë pozitën e parafundit në grup me një pikë, sa ka edhe Moldavia në vend të fundit. Greqia së bashku me Slloveninë mbajnë pozitat e para me nga shtatë pikë.
Kosova në hapje të kampanjës barazoi 1:1 me Moldavinë në Itali. Më pas humbi në Prishtinë nga Greqia e Sllovenia.
Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, i ka përmendur mungesat në konferencën për media të mbajtur pasdite. Ai ka deklaruar se janë dhjetë futbollistë të cilët nuk i ka në dispozicion e që, sipas tij, kanë qenë çdoherë pjesë e rëndësishme e Kosovës. Trajneri zviceran është i befasuar edhe me kritikat e shumta në drejtim të tij dhe të lojtarëve pas rezultateve të fundit, të cilat pretendon se nuk qëndrojnë. Në shtatë ndeshjet e fundit, Kosova ka regjistruar një barazim dhe gjashtë humbje, përfshirë edhe atë kundër Maqedonisë së Veriut në kuadër të gjysmëfinales së plejofit për kualifikim në “Euro 2020”.