Me kërkesën e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë miratuar zëvendësimet e anëtarëve dhe kryetarëve në disa prej komisioneve parlamentare.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK, Arben Gashi, tha se këto zëvendësime behën për shkak se disa prej këtyre kryetarëve dhe anëtarëve tashmë kanë marrë poste qeveritare dhe ata zëvendësohen me të tjerë.
“Komisioni për Legjislacion Mandat, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe Mbikëqyrjes e Agjencisë kundër Korrupsionit, në vend të kryetarit Driton Selmanaj, ish-deputet, kryetar të emërohet deputeti Shkëmb Manaj, anëtar i komisionit deputeti Visar Hoti. Komisioni i Integrimeve Evropiane, në vend të ish-kryetarit Armend Zemaj, kryetar emërohet deputeti Ismet Beqiri, ndërsa në vend të deputetit Fidan Rakaliu anëtar i komisionit emërohet deputeti Faton Bislimi. Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, në vend të kryetarit Arban Abrashi emërohet kryetare Valentina Bunjaku-Rexhepi. Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi, Investime Strategjike, largohet deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi dhe zëvendësohet me deputetin Fidan Rakaliu”, deklaroi Gashi.