Për shkak se projekti i rikualifikimit urban të sheshit “Skënderbej” ka hyrë në fazën e dytë të punimeve, Bashkia e Tiranës njofton ndryshimin e planit të lëvizjes së automjeteve, për të mundësuar përfundimin e projektit brenda afatit të caktuar.
Prej mbrëmjes së sotme, qarkullimi i automjeteve do të ndryshojë kështu:
– Ndalohet qarkullimi në segmentin e rrugës “Çamëria”, nga kryqëzimi me Rr. “Ibrahim Rugova” deri në sheshin “Skënderbej”. Qarkullimi i automjeteve, do të bëhet në rrugën “Ibrahim Rugova” në kryqëzimin me rrugën “Çamëria”, drejtim i detyruar drejt.
– Qarkullimi i automjeteve në segmentin e Rr. “Ibrahim Rugova”, nga “Myslym Shyri” deri te bulevardi “Gjegj Fishta” do të jetë me një drejtim lëvizjeje, sipas sensit veri-jug.
Shumë shpejt pritet që të përfundojnë punimet për të gjithë sheshin “Skënderbej”, duke e bërë edhe më atraktiv jo vetëm për vizitorët vendas, por edhe për ata të huaj.
Sheshi përfaqëson një ndërthurje mes pjesës së ngurtë dhe asaj të gjelbër dhe pyllëzuar, duke ruajtur fort simbolikat kombëtare dhe historike që mbart.