Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka diskutuar edhe njëherë panelin vlerësues të Bordit të KOSTT-it.
Muharrem Nitaj nga AAK-ja, i cili ngriti çështjen e panelit vlerësues të Bordit të KOSTT-it, propozoi që paneli të jetë i hapur për anëtarët e komisionit me pjesëmarrje të detyrueshme, raporton Ekonomia Online.
“Nuk e kisha hapë me pas ditë që bëhet ky sherr, për mua është votimi i kryer mirëpo unë kërkova që nëse kjo është në përputhje me ligjin. Unë mendoj që nuk ka të keqe me qenë gjithë anëtarët e komisionit. Nëse është dikush që thotë se kjo është në përputhje me ligjin atëherë për mua kjo është punë e kryer,” tha Nitaj.
Deputeti Memli Krasniqi tha se problemi i opozitës është bllokimi i KOSTT-it.
“Me këtë logjikë ne do të mund të rikthenim në diskutim edhe ligjet që janë proceduar në seancë. Sa i përket çështjes së kryesuesit të KOSTT-it është hera e parë që Kuvendi e merr këtë përgjegjësi. Në kuptimin legal paneli nuk është vendimmarrës, por është komisioni. Komisioni vendos për panelin, dhe për numrin e anëtarëve. Unë mendoj që sa më shpejt me fillu komisioni dhe paneli të cilin ne e kemi votu. Kërkesa e opozitës është me blloku KOSTT-in. Nëse vendosim me marr pjesë të gjithë anëtarët e komisionit, një prej tyre kur mungon nuk është valid vlerësimi,” vlerësoi Krasniqi.
Kryetarja e komisionit, Sala Berisha-Shala, tha se ky komision ka votuar panelin me tre anëtarë dhe përsëritja e procesit vonon dhe dëmton KOSTT-in.
“Britanezët janë vetëm ndihmues në këtë mes. Sugjerimi i tyre ka qenë që për me ardhë më lehtë deri tek vendimmarrja duhet me qenë më pak deputet. Mirë nuk është me ju kthy prapë proceseve. KOSTT-i është që një kohë pa bord dhe nëse ne shtyhemi atëherë do ta zgjasim këtë proces,” tha Berisha-Shala.
Hykmete Bajrami deklaroi se në panel vlerësues duhet të jenë dy anëtarë nga pozita dhe dy nga opozita.
“Unë po kërkoj që me qenë dy anëtarë të pozitës edhe dy anëtarë të opozitës. Nuk po e kuptoj se kush është problemim pse nuk po e hap komisionin intervistues për me marr pjesë të gjithë ata që kanë vullnet me kontribu, sepse kjo del e qëllimshme pastaj sepse po doni mi kalu ato çka ju dëshironi,” tha Bajrami.
Mimoza Kusari tha se ndryshimi i panelit vlerësues të KOSST-it nuk është problematik, raporton EO.
“Na e kemi pas mendimin që ndoshta tre vetë munden me qenë në komision, por duhet me qenë disa kritere. Ne po e kthejmë vendimin për anë më pozitive. Unë nuk e shoh as dështim të komisionit nëse e hapim edhe njëherë si temë. Le ta lëmë betejën e numrave në seancë.
Dardan Sejdiu tha se hapja e panelit i kontribuon procesit.
“Duke qenë këtu unë po e kuptoj idenë për të qenë gjithë anëtarët e komisionit në panel. Nëse janë të gjithë anëtarët e komisionit në panel dhe procesi ecën mirë, edhe në Kuvend procesi shkon më lehtë, në të kundërtën e komplikojmë,” tha Sejdiu.
“Unë po propozoj që të hapet paneli, të jemi të gjithë aty kush ka i interesim dhe kështu sigurohemi që në Kuvend të dërgojnë një listë. Unë nuk do të jem pjesë e panelit mirëpo nëse hapet si panel do t’i kontribuoj panelit”.
Liburn Aliu tha se nëse mbesin në panel dy anëtarë të pozitës dhe një opozitës, epilogu i këtij procesi mund të dihet.
“Ju keni qenë në pushtet tash e sa kohë dhe e keni dëmtu të gjitha ndërmarrjet publike”, tha ai.
Mbledhjen e kaluar ky panel është votuar me tre anëtarë, dy pozitë dhe një opozitë.