Ministria e Drejtësisë ka vazhduar punën në rishikimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Që nga e enjtja grupi punues ka marrë në shqyrtim komentet dhe propozimet që kanë ardhur nga akterë të ndryshëm, raporton Ekonomia Online.
Në këtë fazë grupi punues po merret me procesin e rishikimit të propozimeve konkrete për amandamentim të Kodit Penal e më pas do të vazhdohet me Kodin e Procedurës Penale.
Drejtori i Departamentit Ligjor në Ministrisë së Drejtësisë dhe njëkohësisht Kryesues i Grupi Punues, Ardian Bajraktari, për Ekonomia Online ka thënë se si rezultat i konsultimeve që janë bërë me institucionet e zbatimit të ligjit dhe partnerët ndërkombëtar është konstatuar se jo vetëm që është e nevojshme, por është edhe i domosdoshëm procesi i rishikimit të drejtësisë penale.
Sipas tij, me ndryshimet që do të bëhen në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale është në fokus rritjen e efikasitetit në drejtim të luftimit të korrupsionit, krimit të organizuar dhe veprave penale që ndërlidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Rishikimit i dispozitave të Kodit Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale ka fokus rritjen e efikasitetit në drejtim të luftimit të sa më të suksesshëm të korrupsionit, krimit të organizuar dhe veprave penale që ndërlidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe adresimi i çfarëdo problemi që kanë hasur organet e zbatimit të ligjit para se gjithash gjyqtarët dhe prokurorët”, ka sqaruar Bajraktari.
Bajraktari ka sqaruar se gjatë kësaj kohe një muaj afërsisht do ta analizohet komplet procesin dhe në fillim të shtatorit ekskluzivisht do të merren me çështjen e konfiskimit të pasurisë në mënyrë që të adresohen të gjitha sfidat.
Por ndryshim do të ketë edhe të kohëzgjatja e dënimeve, sidomos për ata që keqpërdorin detyrën zyrtare.
“…sa i përket konfiskimit dhe sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku në kuadër të kësaj kemi propozime konkrete dhe njëra prej propozimeve që mund ta ndaj me juve është rishikimi i dispozitave të çështjes së ndëshkimit të gjitha atyre që keqpërdorin me pozitën zyrtare. Aktualisht sipas nenit 422 të kodit Penal minimumi i dënimit për këtë vepër është paraparë 6 muaj dhe në mes të grupit punues vërehet një dakordim që minimumi të rritet për së paku një vit që vërehet një unanimitet i plotë i përfaqësuesve të përfshirë në këtë proces”, ka thënë ai.
Avni Puka, anëtar i grupit punues, njëherit profesor i së Drejtës Penale, thotë se kanë pranuar propozime që afati i hetimeve për raste e korrupsionit të jetë i pakufizuar.
Kjo sipas tij, është e panevojshme sepse paraqet rrezik të shkeljes së të drejtave të njeriut deh se nuk e ndihmon luftën kundër korrupsionit.
“Ka disa problematika që janë shfaqur në praktikë rreth afatit ose kohës kur duhet të ngritët aktakuza që ka pasur qëndrime të ndryshme në mes të Gjykatës Supreme dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, aspekte që besoj që duhet të definohet. Ndërsa propozimet po them apriori që heqin afatin e hetimeve për vepra të korrupsionit konsideroj që është e panevojshme ajo pjesë sepse në luftën kundër formave të caktuara të kriminalitetit gjithmonë duhet të përcaktohen zgjidhjet ligjore të balancuara që garantojnë liritë dhe të drejtat e njeriut edhe të atyre që mund të hetohen për këto vepra. Heqja e afatit paraqet një rrezik që dikush mund të mbahet pa afat ose një kohë të gjatë që të cenohet të drejtat e tij, të cenohet dinjiteti i tij dhe kjo konsideroj që nuk e ndihmon luftën efikase ku kundër korrupsionit”, ka sqaruar profesori i të Drejtës Penale.
Grupi punues ka trajtuar me seriozitet thotë profesori Puka edhe propozimet që ndërllidhen me veprat penale të urrejtjes ndaj grupeve etnike, racore etj. që hyn tek kapitulli kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Përveç kësaj një nga propozimet të cilat i ka trajtuar me shumë seriozitet grupi punues konsideroj, ka qenë propozimi në lidhje me nenin 147 vepra që lidhen me nxitje të urrejtjes ndaj grupeve etnike, racore etj që hyn tek kapitulli kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Ky ka qenë propozim nga zyra e Avokatit të Popullit që të shtohen edhe disa karakteristika ose veçori të mbrojtura, pastaj edhe disa nga organizata të shoqërisë civile kanë bërë një propozim të kësaj natyre pra që të shtohen disa veçori që lidhen me irientimin seksual, me gjininë, aftësinë e kufizuar e kështu me radhë”, sqaroi Puka.
Rol të rëndësishëm në ndryshimin e kodeve ka edhe shoqëria civile. Ehat Miftarja, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se kanë bërë rekomandime sa i përket politikës së dënime që kanë të bëjnë me rastet e korrupsionit.
“Rekomandimet kanë të bëjnë në radhë të parë kanë të bëjnë me politikën ndëshkimore që kanë të bëjnë në raste të korrupsionit. Ne jemi dëshmitar që politika ndëshkimore në Kosovë në këtë fushë është jashtëzakonisht e butë dhe kjo është një ndër çështjet që ne ngritur dhe kemi kërkuar që të gjendet një modalitet, një mënyrë që në raste të korrupsionit të ndalohet praktika kur kemi dënime me gjobë me kusht në një far mënyrë të mos jepet dënimi i merituar ndaj gjithë atyre zyrtarëve shtetëror të lartë që bien në kundërshtim me ligjin dhe pastaj bartin dënime të ulëta”, tha Miftaraj.
Në këtë punëtori kanë marr pjesë: përfaqësues nga zyra e BE-së, zyra e Presidentit, gjyqtarë, prokurorë, përfaqësues nga Agjencia Kundër Korrupsionit, Policia e Kosovës, si dhe ekspert vendor dhe ndërkombëtarë.
Deri në fund të këtij viti grupi punues do të ketë gati draftet fillestare për të dy kodet, më pas në pajtim me aktet përkatëse për hartimin e legjislacionit do të dërgohen edhe në konsultime.
Kurse sipas planifikim që ka bërë grupi punues deri në mesin e vitit të ardhshëm pritet që ndryshimet në të dy kodet të miratohen nga ana e Kuvendit.
Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale kanë filluar të zbatohen që nga viti 2013.