Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dalë në Aeroportin i Rinasit për të pritur vaksinat anti-COVID, të cilat pritet të mbërrijnë sonte.
Por, planet e Shqipërisë dhe Ramës kanë ndryshuar shumë, e me këtë është prekur edhe Kosova.
Ai pati paralajmëruar se në kontingjentin e parë do të vijnë 10 mijë e 750 doza nga 500 mijë sa ka thënë se ka siguruar nga Pfizeri. Por, sipas njoftimeve të vetë Ramës, sonte pritet të mbërrijnë vetëm 1.170 doza, kurse të tjerat gjatë muajit. E nga ky kontingjent, Rama ka thënë se do të ndahen doza për 50 mjekë e infermierë kosovarë. Sipas tij, mjekët e infermierët nga QKUK-ja duhet të udhëtojnë në Tiranë.
“Kemi marrë dhe zotim të ndihmojmë Kosovën, por dua të sqaroj se rregullat strikte që Pfizeri ka vendos, që siç kanë bërë që ne të mbetemi në kushtet e sekretit se për nga na erdhën vaksinat, e bëjnë të pamundur dhurimin e vaksinave, por jo të pamundur që të ndihmojmë një numër mjekësh kosovarë të vaksinohen këtu, kur ata të vendosin do i mikëpresim, si fillim 50 bluza të bardha nga spitali Covid i Prishtinës për të dyja dozat”, ka thënë Rama, përcjell Tch.
Rama kishte shpalosur krejt plane të tjera. Kishte thënë se në fund të janarit do të vijnë 10.750 doza, ndërkohë në javën e tretë të shkurtit edhe 32.250, kurse të tjerat në muajt në vazhdim.
Edhe Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka thënë se ka siguruar 535 mijë doza nga Pfizeri dhe se të parat do të vijnë gjatë shkurtit, porse nuk është bërë e ditur as numri i vaksinave e as data. Rama ndërkohë ka thënë se në rajon, vetëm Shqipëria e Serbia kanë marrëveshje me Pfizerin.
“Kemi kontratën e drejtpërdrejtë me Pfizerin, ne Shqipëria dhe Serbia. Vendet e tjetra fatkeqësisht janë në një situatë pritshmërie, në kushtet kur çështja e vaksinës po komplikohet gjithnjë e më shumë e që Evropa ka hyrë në kaos”, ka thënë Rama.