Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) ka shënuar 11-vjetorin e themelimit të tij, me ç’rast u përuruan dhe mensa e konvikti, raporton Ekonomia Online.
Ky përurim shënon edhe përfundimin e fazës së katërt dhe të fundit të kampusit universitar, i cili ka nisur së ndërtuari në vitin 2012. E vlera totale kap shifrën e 20 milionë eurove.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se 26 vite pas përfundimit të luftës, po bëjnë përpjekje që të ketë një arsim më të mirë. Ai përmendi ndarjen e bursave dhe vendimin për studim falas.
“Se sa është i rëndësishëm arsimi tregon stafi e studentët në Universitetit në Mitrovicë që po vazhdon të jenë aktiv, e këto objekte që po i përurojmë sot janë investime konkrete për mësim modern për 2000 studentët e këtij universiteti. Kampusi që nisi në 2010-ën sot po përfundon me investimet e fundit në vlerë mbi 6 milionë euro e vlerë totale prej 20 milionë euro”, tha Kurti.
“Cilësia në arsim qëndron lartë sepse ajo duhet të jetë proces solid e mbështetja për ta mbetet e përhershme, studimet i kemi bërë falas, kemi ndarë bursa për studime jashtë vendit. Në vitet që vijnë le të vazhdojmë punën, njohuritë që i zhvilloni këtu i kontribuoni jetës suaj në vijim dhe të ardhmes së shtetit tonë, përgëzimet e mia për kampusin universitar”, tha Kurti.
Ndërkaq Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci tha se përgjatë mandatit janë përkushtuar për një arsim më cilësor, teksa përmendi edhe ndarjne e bursave për studentët.
“Sot në 11-vjetorin e këtij universiteti që mban emrin e atij që zgjon krenari, jemi të lumtur që po përurojmë bashkë kampusin universitar. Për këto tri vite jemi përkushtuar në arsim, duke ndarë bursa në fusha të ndryshme, e edhe të këtij universiteti, për të ngritur cilësinë e lartë në arsim e ringjallëm këshillin kombëtar të shkencës, sistemin për hulumtues e shkencëtar”
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, duke uruar përvjetorin e 11 të UIBM si dhe përurimin e mensës dhe konviktit, tha se pas shumë sfidave Mitrovica ka një kampus modern universitar. “Kështu nuk ishte deri në vitin 2012, kur nisi ndërtimi i këtij kampusi në këtë hapësirë të bukur që ishte ndarë nga Komuna e Mitrovicës, kështu nuk ishte as deri në vitin 2018 kur studentët dhe mësimdhënësit nisin punën në këtë ambient të ri”, prandaj duhet qenë mirënjohës ndaj të gjithëve që ishin pjesë e këtij rrugëtimi.
Hamza u shpreh se ky universitet është krenaria e qytetit të Mitrovicës. “Përvjetori i këtij universiteti përkon me përvjetorin e Epopesë së UÇK-së, duke i nderuar përjetë ata që dhanë jetët e tyre për të vazhduar jetët tona, sikurse në këtë universitet”, shtoi ai.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, uroi stafin akademik dhe studentët për këtë investim.
“Stafit akademik, studentëve iu uroj 11-vjetorin e themelimit dhe kampusin e ri, këto dy ngjarje me rëndësi për qytetin e Mitrovicës, e shoqërinë tonë”, tha ai.
Ushtruesja e detyrës së rektores së këtij Universiteti, Nurdeme Dema, ka treguar se Mensa ka një hapësirë prej 2.920 metrash katrorë, ku mund të ushqehen deri në 500 veta njëkohësisht.
“Ndërsa konvikti ka hapësirë 7.896 metra katrorë dhe mund të akomodojë 279 studentë. Objekti ka 4 kate, përdhese dhe bodrum.tha se në kampusin e ri do ushqehen mbi 500 studentë, ndërsa 279 studentë do të akomodohen në objektin e ri që ka 4 kate”.
E Njomëza Gashi, në emër të studentëve tha se tashmë kanë kushte komodë për studim duke thënë se janë motiv shtesë për studim. Ajo tha se pa vendimin e ish-presidentit Thaçi nuk do ishte themeluar ky Universitet.
Pas manifestimit qendror, u pre shiriti përurues për mensën dhe konviktin.
UIBM është themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës më 6 mars 2013. Ky vendim u ratifikua në Kuvendin e Kosovës më 31 maj 2013.