Në shënim të 120-vjetorit të Lidhjes së Pejës anëtarë, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetë të prirë nga Kryetari i LVV-së, Albin Kurti kanë vizituar Kullën e Haxhi Zekës dhe Mullirin e tij.
“Më 23 janar të vitit 1899, Kuvendi Kombëtar Shqiptar mblodhi në Pejë delegatë të trevave shqiptare, përmes organizimit nga patriotë të shquar si Haxhi Zeka dhe Bajram Curri, dhe me mbështetjen e shoqërive atdhetare shqiptare që zhvillonin aktivitetin e tyre jashtë vendit. Punimet e Kuvendit zgjatën deri më 29 janar me tubime që në disa raste përfshinin deri në 500 pjesëmarrës. Kuvendi shpalli formimin e “Lidhjes së Pejës” nën shembullin e “Lidhjes së Prizrenit”, e cila ishte shtypur më herët me dhunë nga pushtuesit”, shkruhet në njoftimin e Lëvizjes në Facebook.
Sipas njoftimit thuhet se Lidhja e Pejës kishte për synim organizmin edhe bashkimin e shqiptarëve nga të gjitha viset për ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit
“Ajo themeloi menjëherë një ushtri dhe filloi punën edhe për pajtimin e gjaqeve dhe hapjen e shkollave shqiptare, duke marrë përkrahje të gjerë nga figurat e shquara të Rilindjes Kombëtare si Sami Frashëri, Faik Konica, etj”, shkruhet në fund të njoftimit.