Me intonimin e flamurit shtetëror dhe kombëtar, si dhe një minutë heshtje ka nisur Akademia Përkujtimore për të rënit e masakrës së Reçakut, raporton Ekonomia Online.
Salla e Kulturës në Shtime ishte e vogël për t’i zënë të gjithë ata që ishin të interesuar për të qenë pjesë e Akademisë që u organizua nën përkujdesjen e presidentit Hashim Thaçi.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, tha se 15 janari ishte ditë e rëndë që shtangu mbarë botën.
Më të rëndë këtë ngjarje sipas Ismajlit e bën krerët serbë të cilët ende po e mohojnë këtë masakër.
Ai kërkoi nga ndërkombëtarët që të shtojnë presionin ndaj Serbisë për të dorëzuar para drejtësisë kriminelët serbë.
“Ishte një ngjarje e rëndë dhe mbetet ende e rëndë. Pasi në këtë përvjetor peshën e dhimbjes e shton edhe krerët serbë që po e mohojnë këtë masakër. E sot e themi të vërtetën siç ka qenë dhe siç është. I njëjti shtet me të njëjtën udhëheqje dhe të njëjtin mentalitet masakroi në Reçak 40 persona që nuk kurseu as fëmijë e pleq. U vranë vetëm pse ishin shqiptarë. Për fatin tonë për ta parë krejt këtë masakër në vendngjarje ishte ambasadori Walker që e tha të vërtetën para botës dhe për këtë i jemi mirënjohës. Kërkojmë nga ndërkombëtarët që të shtojnë presionin mbi Serbinë që t’i dorëzojnë para drejtësisë kriminelët që lirshëm shëtisin nëpër botë”, tha Ismajli, raporton EO.
Presidenti Hashim Thaçi tha se për Kosovën viti 1998 ishte e mbushur me tmerre nga dhuna e Serbisë dhe se masakrat vazhdonin anë e kënd Kosovës.
Por masakra e Reçakut sipas Thaçit ishte një krim nga më të shëmtuarit pas Luftës së Dytë Botërore nga shteti i Serbisë.
“Ky veprim gjenocidal shkaktoi një zemërim ndërkombëtarë. Vizita e ambasadorit Walker dhe deklarata e tij që ky ishte një gjenocid serb sensibilizoi mbarë botën dhe erdhi edhe Konferenca e Rambujes dhe rezultati dihet. Kosova u çlirua dhe fitoi lir8në. Por tërheqja e forcave serbe zbuloi krimin dhe gjenocidin serb në Kosovë”, tha ai.
Thaçi edhe njëherë ka përmendur të gjitha krimet serbe në Kosovë.
Thaçi falënderoi përfaqësuesit e ambasadave në Kosovë për të cilët tha se është hera e parë që marrin pjesë në një akademi përkujtimore.
“Kjo heshtje dhe amnistim ndërkombëtar i gjenocidit serb të shkaktuar në Kosovë i motivojë përfaqësuesit serbë të mohojnë krimet në Kosovë, spastrimin etnik dhe masakrat në Kosovë”, tha ai.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se masakra e Reçakut ishte tragjedi e cila e sensibilizoi botën.
“Ndodhim sot këtu për të dëshmuar se masakra e Reçakut nuk duhet harruar edhe për faktin e mos përsëritjes së një vepre të tillë. Kjo masakër ishte një tragjedi që sensibilizojë botën”, tha presidenti Meta. 21 vite më parë ndiqnim me ankth ngjarjet që po donin në Kosovë dhe ne në Shqipëri pritnin mbi 1 milion vëllezër e motra nga Kosova të ikur nga gjenocidi serb”, tha Meta, raporton EO.
Ambasadori William Walker tha se ndjehet i veçantë sa herë që e viziton Reçakun pasi që 21 vjet më parë në këtë fshat Serbia shkatërroi fshatin dhe mbyti pothuajse të gjithë burrat e fshatit.
Pse në këto përvjetor nga ambasadat ndërkombëtare në Kosovë nuk marrin pjesë. Më kanë thënë që nuk duan të rigjenerojnë plagët e masakrës dhe të cilat do të ndikonin në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E di që disa po e mohojnë këtë masakër por këtu nuk guxojmë as të bëjmë pyetje a ka ndodh apo jo masakra në Reçak. Dëshmitë se çka ka ndodhur në Reçak janë të shumta. Unë do të vijë këtu përsëri sa Zoti më jep shëndetin”, tha Walker.