Në një ceremoni solemne ku merrnin pjesë krerë të lartë shtetërorë Gjykata Kushtetuese, ka shënoi shtatë vjetorin e krijimit të saj.
Të pranishëm në këtë ceremoni përveç presidentit Thaçi dhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, të pranishëm ishin edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa dhe përfaqësues të shumtë të korit diplomatik në Kosovë.
Arta Rama-Hajrizi, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, në hapjen e ceremonisë për 7 – vjetorin e Gjykatës Kushtetuese, tha se Gjykata Kushtetuese po vazhdon të forcojë sundimin kushtetues të vendit.
“Edhe gjatë vitit të fundit kjo Gjykatë Kushtetuese ka vendosur raste të rëndësishme për shtetin. Jemi në dijeni të asaj që vendimet tona analizohen e komentohen shpeshherë edhe jashtë kontekstit dhe dëshirojmë të theksojmë edhe gjatë këtij viti vendimet nuk janë vendime të presioneve por e analizave dhe standardeve ndërkombëtare”, u shpreh Rama-Hajrizi.
“Misioni i Kushtetutes është që të shërbeje për të mbrojtur të drejtat e çdo qytetari të Kosovës. Ne duhet ta mbrojmë kushtetuesen ashtu sic interpretohet dhe jo sic duam ne. Vitin e kaluar në ceremonin e njejtë unë bëra thirrje përfaqësuesve që gjykatës të i bashkohen dy gjyqtare dhe pas tri vitesh Gjykata Kushtetuese është kompletuar”, tha tutje ajo.
Ajo përmendi dy vendimet të cilat mori Gjykata Kushtetuese, e para aktgjykimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Ndërsa rasti i dytë ishte rasti për Manastirin e Deçanit.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se ishte më se i domosdoshëm krijimi i një organi të pavarur të mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, i cili do të bënte edhe interpretimin përfundimtar të Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.
“Këtë detyrë dhe këto obligime po i përmbush me sukses Gjykata Kushtetuese”, ka thënë presidenti Thaçi.
Efekti i vendimeve të kësaj gjykate, në kuptimin e fuqisë së tyre juridike, sipas presidentit Thaçi, është përfundimtar dhe ato nuk mund t’i nënshtrohen rishikimit nga cilido institucion apo mekanizëm shtetëror.
“Zbatimi i këtyre vendimeve, duke filluar nga presidenti e deri tek të gjitha institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, ka treguar dhe po tregon se Gjykata Kushtetuese është një nga kontribuuesit më të mëdhenj në funksionimin e demokracisë në Kosovë”, është shprehur presidenti Thaçi.
Në këtë mënyrë, ai ka thënë se po ndërtojmë fuqishëm konceptin e Kosovës si shtet kushtetues, ku parimet kushtetuese po gjejnë shprehje në vendimet dhe veprimet e të gjitha institucioneve dhe autoriteteve shtetërore.
“Ruajtja e reputacionit dhe dinjitetit të Gjykatës Kushtetuese nënkupton edhe ruajtjen e reputacionit dhe dinjitetit të Republikës së Kosovës. Duke mbrojtur Kushtetutën ju mbroni Republikën, mbroni qytetarët dhe mbroni institucionet”.
Edhe kryeministri Isa Mustafa, e ka vlerësuar të rëndësishëm rolin e Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar si njërin prej mekanizmave kryesor për forcimin dhe konsolidimin e demokracisë në vend.
“Si kryeministër vlerësoj lartë punën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës gjatë këtyre viteve, sepse ka qenë një punë dhe një rol kapital në zhvillimin dhe demokratizimin e institucioneve tona, në ngritjen e sundimit të ligjit, në konsolidimin e rendit juridik, si dhe në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Mund të konstatohet gjithashtu se Gjykata Kushtetuese ka bërë këto vite një punë tepër të rëndësishme në mbrojtjen dhe forcimin e shtetit të Kosovës, pastaj si rrjedhojë edhe ka ndihmuar në mënyrë të vazhdueshme dhe drejtpërsëdrejti në forcimin e demokracisë dhe rritjen e efikasitetit shtetndërtues të vendit tonë”, tha kryeministri.
Më tej, kryeministri Mustafa ka përshëndetur përpjekjen e vazhdueshme të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila, duke qenë autoriteti përfundimtar në interpretimin e Kushtetutës së Kosovës, ka mbrojtur dhe ka afirmuar vlerat juridike dhe parimin demokratik se ‘askush nuk është mbi ligjin’, duke theksuar po ashtu se mbrojtja e këtij parimi është detyrë e të gjithëve dhe respektimi i këtij parimi po ashtu është detyrë e të gjithëve.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se përmes vendimeve te drejtësisë së saj Gjykata Kushtetuese ka qenë një shtyllë e fuqishme e garantimit të këtyre parimeve themelore.
“Në një klimë shpeshherë te polarizuar Gjykata ka arritur të ruaj objektivitetin dhe paanësinë e vendimeve të saj dhe kjo ka ndikuar pozitivisht në kredibilitetin e sistemit juridik dhe subjekteve politike brenda institucioneve të shtetit. Gjykata Kushtetuese sot gëzon respektin e të gjithë qytetarëve, subjekteve politike dhe jo politike, pa dallim”, u shpreh Veseli.
Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, fjalimin solemn e hapi me thënien e Benjamin Franklinit, i cili ka deklaruar se “Kushtetuta u jep njerëzve të drejtën që të ndjekin mirëqenien e tyre, por individët duhet t’i kërkojnë vetë këto të drejta”.
Qytetarët duhet të kenë besim në kushtetutën e tyre, gjegjësisht në interpretuesin e vetëm të saj, Gjykatën Kushtetuese, theksoi Ministrja Hoxha duke thënë se gjatë punës së saj shtatëvjeçare, Kushtetuesja mori shumë vendime të rëndësishme për vendin.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është baza e shtetit tonë, është baza e vlerave tona dhe lirive e të drejtave themelore të njeriut. Përmes Kushtetutës, zbatimit dhe mbrojtjes së saj nga Gjykata Kushtetuese, të gjithë jemi të barabartë!”, theksoi ministrja Hoxha.
Ministrja Hoxha theksoi se rëndësia e Gjykatës Kushtetuese është e jashtëzakonshme, duke qenë kështjella më e mirë mbrojtëse, gardiani më i sigurtë dhe interpretuesi i Kushtetutës dhe normave të saj.