Me konkurset e shpallura për punësim në administratën publike po plotësohen vendet e zbrazëta nga gjysma e dytë e vitit 2017 dhe kjo nuk do të ketë ndikim në buxhet.
Këtë e theksoi kryeministri Zoran Zaev duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me konkurset e shpallura për punësim në administratën publike pas nënshkrimit të marrëveshjes mes BERZH-it dhe ELEM-it për elektranën fotovoltaike Osllomej.
“Bëhet fjalë për plotësim të vendeve të zbrazëta të punës në fund të vitit të kaluar dhe fillim të këtij viti. Ato janë vende të punës të zbrazura në gjysmën e dytë të vitit 2017, ndërkaq tani po plotësohen, dhe atë vetëm një pjesë e tyre. Me punësimet nuk do të ketë ndikime të tjera në buxhet dhe nuk është paraparë asgjë përveç rritjeve të paralajmëruara prej pesë për qind, ndërsa diku edhe 10 në disa institucione”, theksoi kryeministri dhe kërkoi të shikohen të dhënat për numrin e administratës në vitet e kaluara dhe tani.
Lidhur me rrogën minimale tha se e tërë procedura do të jetë transparente, përmes dialogut me sindikatat dhe punëdhënësit.
“Kemi për qëllim të hapim dialog për rrogën minimale me sindikatat dhe me punëdhënësit. Ne jemi të bindur se në një shoqëri të drejtë dhe solidare shteti duhet të ndërmarrë hapa të këtillë, dhe kjo të mos jetë në dëm të asnjërit prej pjesëmarrësve në procedurë. Korrigjimi paraprak i rrogës minimale ndihmoi të lëvizë spiralja për rritje edhe të rrogave të tjera”, deklaroi Zaev.