Në aksidentin në Badoc intervenoi edhe FSK-ja: Dy trupa u gjetën në ujë, njëri në veturë

Prishtinë | 06 Tet 2024 | 13:43 | Nga Ekonomia Online

Tre persona kanë mbetur të vdekur mbrëmë, pasi vetura me të cilin po lëviznin ka rënë në Liqenin e Badocit.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë Malë Gashi, tregoi se dy nga trupat e viktimave janë gjetur në ujë, ndërsa njëri nga ta kishe mbetur brenda veturës.

“Menjëherë ekipet e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes. Kanë bërë përpjekje për ta nxjerrë veturën, por nuk kanë mundur sepse ishte e gjitha e zhytur në ujë. Ka ardhur ekipi i zhytjes së FSK-së, i kanë nxjerrë dy persona që kishin humbur jetën në ujë, njëri që ka mbetur në veturë e kemi tërhequr me litar, me kamion e kemi nxjerrë veturën me gjithë personin e vdekur, dhe pastaj sigurisht e kemi hequr edhe nga vetura bashkë me FSK-në, dhe e kemi dorëzuar te ekipet mjeko-ligjore”.

E ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve për vozitje të kujdesshme. 

“Mbrëmë pas mesnatës në një vetaksident gjeten vdekjen tre të rinj, prej të cilëve dy tashmë janë identifikuar. Në vend të ngjarjes menjëherë pas aksidentit ka intervenuar Policia e Kosovës e cila me ndihmën e FSK-së dhe zjarrfikësve ka nxjerrë veturën nga Liqeni i Badocit dhe trupat e të ndjerëve. Aktualisht, ekspertët e fushës janë duke bërë hetime për shkakun e aksidentit. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe në këto momente të rënda për ta jemi në krah të tyre. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve për vozitje të kujdesshme në mënyrë që të shmangim dhe të mos përsëriten aksidente të tilla”, ka shkruar Sveçla në Facebook. 

Të ngjashme