Grenell pas takimit me Kurtin: Mungesa e marrëveshjes Kosovë- Serbi, pengesë e investimeve të huaja

Prishtinë | 09 Tet 2019 | 14:38 | Nga Norë Kelmendi

Richard Grenell i dërguari special i ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, ka takuar kreun e VV-së, Albin Kurti, raporton Ekonomia Online. Kurti ka qenë i pari që është takuar me Grenell.

I dërguari special i ShBA-së do t’i takojë liderët partiakë, veç e veç, në objektin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, është emëruar nga presidenti, Donald Trump si i dërguar i administratës amerikane për dialogun Kosovë-Serbi.

Richard Grenell nga Kalifornia, do të shërbejë njëkohësisht si i Dërguar Special Presidencial për Negociatat Paqësore të Serbisë dhe Kosovës, dhe si Ambassador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotëfuqishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën Federale të Gjermanisë.

Në një komunikatë për media, Lëvizja Vetëvendosje bënë të ditur se në këtë takim, Grenell theksoi që mungesa e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë është pengesa kryesore e investimeve të huaja në ekonominë kosovare.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shprehu gatishmërinë e tij që si kryeministër i ri i Kosovës të thellojë bashkëpunimin me SHBA-të.

Tutje thuhet se Grenell dhe Kurti janë pajtuar që Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe investime prej jashtë, por për këtë gjë problem janë sidomos korrupsioni i lartë në qeveri që krijon pasiguri e cila tremb bizneset, varfëria e përhapur në popullsi që e mban të ulët kërkesën agregate si dhe qasja e vështirë në financa për bizneset për shkak të kamatave të larta të kredive në banka.

Sa i përket dialogut me Serbinë, bëhet e ditur se Kurti ka thënë që përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj sesa afati kohor për të.

Komunikata e plotë:

Sot, në Ambasadën e re të ShBA-ve në Prishtinë, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe anëtari i Kryesisë, Glauk Konjufca, u takuan me Ambasadorin Amerikan në Gjermani, Richard A. Grenell dhe Ambasadorin Amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett.

Ambasadori Grenell fillimisht uroi udhëheqësit e VETËVENDOSJE!-s për vendin e parë në zgjedhjet parlamentare të së dieles së 6 tetorit dhe dëshironte të dëgjonte mendimin e qëndrimin e tyre për mundësitë e një marrëveshje me Serbinë, para se ai të udhëtonte për Beograd.Grenell theksoi që mungesa e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë është pengesa kryesore e investimeve të huaja në ekonominë kosovare.

Kurti shprehu falënderimin e tij për rolin dhe mbështetjen e ShBA-ve për Kosovën si në luftë ashtu në paqe dhe gatishmërinë e tij që si kryeministër i ri i Kosovës të thellojë bashkëpunimin me ShBA-të. Ai u pajtua me Ambasadorin Grenell që Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe investime prej jashtë, por për këtë gjë problem janë sidomos korrupsioni i lartë në qeveri që krijon pasiguri e cila tremb bizneset, varfëria e përhapur në popullsi që e mban të ulët kërkesën agregate si dhe qasja e vështirë në financa për bizneset për shkak të kamatave të larta të kredive në banka. Sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti tha që përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj sesa afati kohor për të.

Në fund të këtij takimi të hapur e konstruktiv, bashkëbiseduesit u pajtuan që sa më shpejtë të krijohet qeveria e re në Kosovë dhe se do të vazhdojnë komunikimin e shpeshtë e të rregullt.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme