Eksperti amerikan, Daniel Serwer, në një diskutim të organizuar ditë më parë nga Columbia University teksa kishte folur për të ardhmen e Kosovës, kishte thënë se aktualisht administrata e Trump ka braktisur politikën tradicionale amerikane në raport me Ballkanin Perëndimor dhe specifikisht për Kosovën. Serwer ka thënë se pushteti i Trump aktualisht ka marrë anën e Serbisë.
Për afrim me qëndrimet e Serbisë, edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka akuzuar emisarin e Donald Trump për dialogun, Richard Grenell.
Por çfarë thotë presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe a është duke e mbështetur Trumpi Serbinë.
Në një konferencë për media të mbajtur sot, Vuçiq ka thënë se Trump nuk është në anën e Serbisë sa i përket dialogut me Kosovën, por thotë se ndryshe nga administratat tjera, kjo aktualja dëshiron të dëgjojë edhe zërin e Serbisë.
“Unë nuk mendoj që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është në anën tonë në lidhje me Kosovën, por gjithashtu nuk mendoj që ai është një njeri që nuk dëshiron të dëgjojë edhe pjesën tonë, që është një ndryshim i madh me atë se çfarë ka ndodhur më parë”, ka theksuar Vuçiq.