Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK) u mbajt tryeza shkencore “Materialet kompozite”, me pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Franca e Anglia.
Në këtë aktivitet u tha se tryeza synon të vë në pah rëndësinë e madhe të përdorimit të materialeve kompozite në jetën e përditshme, si dhe të nxisë bashkëpunimin ndërdisiplinar në mes të hulumtuesve shkencorë në nivel vendi dhe më gjerë, raporton Ekonomia Online.
Materialet kompozite, si materiale të formuara me bashkimin e dy e më tepër materialeve të ndryshme, kanë veti mekanike dhe fiziko-kimike më të mira se secili veç e veç, si për shembull fortësi më të madhe, peshë specifike më të vogël, përçueshmëri elektrike etj.
Myzafere Limani, anëtare e Këshillit Organizativ të tryezës, tha shkurtimisht se kjo temë është e gjerë por kanë vendosur që ta trajtojnë.
“Kjo është temë shumë e gjerë, të cilën e kemi mundësuar që të trajtohet”.
Kryetari i Këshillit Organizativ të tryezës, Fetah Podvorica, tha se këto materiale i hasim kudo. Ai shtoi se kjo tryezë mbledhë pjesëmarrës nga shtete dhe lëmi të ndryshme.
“Kjo tryezë është organizuar në kuadër të seksionit të natyrës. Kjo tryezë mbledhë shkencëtarë të profileve të ndryshme sepse këto materiale i hasim kudo, sepse qëllimi i vetëm i këtyre materialeve është të krijohen pajisje më të mira. Kjo është ndërdiciplinare, prandaj kemi pjesëmarrës nga shtete të ndryshme dhe lëmi të ndryshme, si ndërtimtaria etj. Këto materiale duhet të bëhen më të njohura”.
Podvorica gjatë prezantimit lidhur me veshjen me molekula organike të sipërfaqes së materialeve, tha se kjo metodë është e rëndësishme në aranautikë dhe në industrinë e automobilave.
“Qëllimi parësor është që materialet e ndryshme që kanë veti si fortësi kur i ekspozohen mjedisit, e humbin vetinë e vet, prandaj molekulat organike ia shtojnë vetitë. Në fakt, këto shtresa organike që ua veshin materialeve kanë trashësi të ndryshme. Kjo ka rëndësi në aranautikë, aeroplanë dhe në industrinë e automobilave. Është e rëndësishme të krijohen materiale kompozite të veshura me molekula organike.”
Podvorica shtoi se ari për t’u bërë më i përdorshëm duhet të vishet me molekula organike.
“Ari është metal i çmueshëm, por nëse duam ta fusim diku, duhet ta veshim me molekula organike”.
Profesori nga Franca, Jean Pinson, foli lidhur me diazoniumin e sipërfaqeve materiale me molekula organike, për të cilat tha se janë komponime interesante.
Ai shtoi se kripërat e diazoniumit janë aromatike dhe janë të vetmet që janë stabile, të cilat përgatiten në ujë.
“Këto janë komponime interesante për modifikimin e sipërfaqeve. Ato janë material fillestar, mund të funksionojnë në ujë. Kripërat diazonium janë aromatike, janë të vetmet që janë stabile, ato përgatiten në ujë. Diazonimo mund të jetë edhe eksploziv apo plasës. Potenciali i reduktimit është shumë i ulët, i lehtë. Pluhuri i hekurit mund të bëhet me sipërfaqe të reduktuar. Kur futet kripa e diazoniumit një kërcim i madh i potencialit, po ndodh kapërcimi nga alumini te kripërat”.