Me kërkesë kushtëzimin e njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga Serbia për vazhdimin e integrimit evropian, të martën do të mbahet një protestë paqësore para Parlamentit Evropian.
Më këtë rast do të kërkohet liberalizimi i vizave për banorët e Kosovës pa kushtin e demarkacionit, njohje të pavarësisë nga 5 shtete evropiane (Spanja, Sllovakia, Qipro, Greqia dhe Rumania), kushtëzimi i njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga Serbia për vazhdimin e integrimit evropian.
Po ashtu do të kërkohet që të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Kosova, Bosnia, Mal i Zi, Maqedonia dhe Sërbia) të bëhen pjesë të BE-së në të njëjtën kohë.
”Bashkatdhetarë të nderuar të Belgjikës, të Evropës e më gjerë, Kosova dhe kombi ynë ka nevojë për bijtë dhe bijat e veta. Për 10-vjetorin e Kosovës si shtet, me një nismë të profesorit Nusret Pllana, në kuadër të dorëzimit 751 Eurodeputetëve dhe 28 EuroKomisionerëve të librit të tij “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”, do të mbahet nje protestë paqësore përpara Parlamentit evropian”, bëhet e ditur në komunikatën e dërguar nga Nusret Pllana.
Protesta do të mbahet nga ora 13:00 deri 14:30, në Place du Luxembourg në Bruksel.