Tema e postit të presidentit të vendit është aktualizuar kohëve të fundit.
Ishte kryetari i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili shfaqi ambiciet për pozitën e të parit të vendit.
Sot edhe zyrtarë të partisë Nisma Socialdemokrate e kanë thënë se kandidat ideal për president do të ishte kreu i kësaj partie, Fatmir Limaj.
Klan Kosova ka kontaktuar zëdhënësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziun, për ta pyetur se a ka ky subjekt politik një kandidat për pozitën në fjalë.
Ai ka thënë se brenda organeve të VV-së, dominojnë temat lidhur me përhapjen e COVID-19 dhe asnjë temë tjetër.
“Në këtë kohë, siç edhe nuk ka se si të jetë ndryshe, diskutimet brenda LVV dominohen nga temat mbi situatën e rëndë me pandeminë COVID-19, krizën humanitare si pasojë, keqqeverisjen si shkaktare, dhe nevojën e zgjedhjeve të parakohshme si domosdoshmëri. Asnjë temë tjetër nuk zë vend në diskutimet tona”.
Kujtojmë se Kryeministri Avdullah Hoti i ka mbledhur sot në takim krerët e koalicionit qeverisës, ku mes të tjerash, mund të diskutohet edhe për çështjen e presidentit.