Lëvizja Politike ka mbajtur një aksion simbolik para zyrës së Bashkimit Evropian, për Ditën e Evropës dhe 70-vjetorin e themelimit të BE-së, me moton “Deri kur do të jetë distanca sociale e BE-së për qytetarët e Kosovës?”, raporton Ekonomia Online.
Përfaqësues të kësaj organizate kanë vendosur në rrethojat e Zyrës së BE-së në Prishtinë, pankarta me mbishkrime”: “Edhe sa Zhleba e Çakorra duhet që të hiqen vizat”, “A është izolimi vlerë e BE-së?”, “94+” etj.
Bekim Ibishi, Përfaqësues i Lëvizjes Politike, tha se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret që qytetarët e saj të lëvizin pa viza në zonën Schengen.
Izolimin e kosovarëve, ai ka krahasuar me izolimin që shtetet evropiane kanë bërë si masë parandaluese ndaj Coronavirusit.
“Sot është Dita e Bashkimit Evropian dhe kemi vendosur të marrim një aksion simbolik ku i kemi paraqitur pakënaqësitë tona për Bashkimin Evropian pasi që i kemi përmbushur 94 kriteret dhe kemi vendosur t’i themi BE-së se edhe sa Zhleba e Çakorra duhet për tu liberalizuar vizat”.
“Sot qytetarët e Evropës e kanë parë se çka do të thotë izolimi nga një virus që është fuqi natyrore. Edhe ne jemi të izoluar nga virusi. Ne do të mund të endemi vetëm në territorin e Kosovës dhe jo në rajon”.
Blendon Arifi, nga kjo organizatë tha se përmes këtij aksionin dëshirojnë të dërgojnë mesazh se duan të jetë të barabartë me të rinjtë e shteteve të Evropës, raporton EO.
“Ne si organizatë politike sot në Ditën e Evropës po e mbajmë këtë aktivitet simbolik se ne si rini dëshirojmë të jemi të barabartë me të gjithë rininë e shteteve të Evropës”.
“Kjo pandemi e ka kapluar të gjithë botën dhe të gjitha shtete janë të izoluara dhe kufijtë janë të mbyllur”, tha Arifi.