Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, dhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, kanë vizituar vendin ku do të ndërtohet Stadiumi Kombëtar në afërsi të Drenasit.
Veseli tha ky stadium do të jetë një ndër më të bukurit jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, raporton Ekonomia Online. E Gashi tha se ky do të jetë investimi më i madh në infrastrukturën sportive.
“Ky stadium në këtë vend i cili do të ndërtohet në Drenas do të jetë një nga stadiumet më të bukura e cila do të ketë jo vetëm Republika e Kosovës por edhe në regjion”.
“Do të jetë një stadium me standardet më të larta dhe në të njëjtën kohë do të shënohet historia dhe djelmoshat tanë do të shënojnë suksese historike për reprezentacionin e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.
Kreu i Kuvendit shtoi se liberalizimi i vizave për kosovarët do të ndodhë dhe institucionet e Kosovës po punojnë në që të rinjtë të qëndrojnë në Kosovë.
“Në këtë vend me 27 hektarë do të ndërtohet stadiumi kombëtar. Pak më poshtë ku do të jetë Qendra e Bizneseve dhe do të vazhdojë që krejt kjo hapësirë në qendër të Kosovës të mbushet me biznese dhe të kemi prodhim dhe punësim për të rinjtë tanë. Dhe liberalizimi i vizave do të ndodhë, rinia e Kosovës dhe ne si institucione po punojmë që ata të qëndrojnë në Kosovë” , tha Veseli, për Ekonomia Online.
Gashi: Ky do të jetë investimi më i madh në infrastrukturën sportive
Ministri Gashi njoftoi se MKRS-ja ka zhvilluar procedurat për përzgjedhjen e kompanive për fizibilitet. Ministri tregoi se janë përzgjedhur gjashtë kompani në rrethin e ngushtë dhe do të merren me këtë proces.
“19 kompani prestigjioze që kanë hartuar projekte të stadiumeve ndërkombëtare kanë konkurruar, janë kompani me renome dhe është një fat i mirë që në thirrjen tonë për hartim të projektit kemi pasur kompani të këtilla”, ka shpjeguar ministri.
“Ne së shpejti do të përzgjedhim njërin nga projektet më të mira që do ta hartojnë këto kompani dhe të njëjtin do ta prezantojmë para publikut se si do të duket Stadiumi Kombëtar i cili do të ndërtohet në Komunën e Drenasit”, tha thënë ministri Gashi, duke shtuar se për herë të parë Kosova do të bëhet me një stadium të nivelit të lartë me një kapacitet nga 25 – 30 mijë ulëse dhe do të jetë investimi më i madh i shtetit të Kosovës në infrastrukturën sportive.
Kreu i MKRS-së ka falënderuar edhe kryetarin e Kuvendit, Veseli, dhe atë të Drenasit, Lladrovci, për interesimin dhe gatishmërinë e treguar për jetësimin e këtij projekti kapital, i cili është më i madhi në historinë e Kosovës.
Ministri Gashi shtoi se ky stadium do të ketë 25 deri 30 mijë ulëse – dhe do të jetë investimi më i madh në infrastrukturën sportive.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, falënderoi kryetarin e Parlamentit për iniciativën që stadiumi nacional të ndërtohet në territorin e komunës që ai udhëheqë. Lladrovci tha se do të jetë bashkëpunues që projektet të realizohen sa më lehtë.
“Kemi pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm prej fillimit të procedurave. Kemi ndihmuar në pajisjen me të gjitha dokumentacionet dhe tashmë ky territor është pjesë e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit”, shtoi Lladrovci.
Lladrovci: Drenasi po bëhet atraktiv
Kryetari i Drenasit foli dhe për projekte të tjera të rëndësishme që priten të realizohen me ndihmën e Qeverisë në këtë komunë. Lladrovci tha se do të investohen 40 mijë euro për ndërtimin e impiantit të liqenit akumulues.
“Drenasi po bëhet atraktiv dhe tërheqës. Pikërisht sot kam marr njoftim nga ministri i Financave, Bedri Hamza, se është vendosur të ndërtohet impianti i liqenit akumulues për ujë të pijes për 40 mijë banorë përmes kredisë hungareze”, theksoi Lladrovci.
Në fund të “inspektimit”, kreu i PDK-së së bashku me dy bashkëpartiakët e tij kanë demonstruar aftësitë e tyre në futboll në livadhin e gjelbër, sikur shihet dhe në pamjet e Ekonomia Online.