Gianluigi Donnarumma tash e sa kohë përflitet që mund të largohet nga Milani në fund të stinorit, por kësaj liste mund t’i shtohet edhe Suso i cili mund t’i jap lamtumirën klubit nga Milano.
Massimiliano Mirabelli ka folur për të ardhmen e futbollistit, ku ka shtuar se nuk mund ta mbajë pa dëshirë atë.
“Për sa kohë që do të ekzistojë dëshira për të ecur përpara së bashku, askush nuk do të largohet. Por, nëse Jesus dëshiron të aktivizojë klauzolën që ka në kontratë, kjo do të thotë se nuk do t’i pëlqente qëndrimi te Milani, ndaj ne do ta nxirrnim në shitje”, ka theksuar Mirabelli.
Megjithatë, gjithçka mund të ndryshojë nëse Milani (me gjasa mbetet jashtë) nuk do të mund të kualifikohet në Ligën e Kampionëve.
Në këtë rast, ashtu siç është deklaruar edhe kohë më parë, klubi do të ishte i detyruar të shiste të paktën një prej lojtarëve më të mirë në skuadër, ose më saktë njërin prej Gigios dhe Susos, që do të garantonin një fitim për klubin.