Referendumi i dështuar në Maqedoni, referendumi tjetër për tërheqjen e njohjes së shtetit të Kosovës nga ana e Malit të zi i nisur përmes mbledhjes së 30 mijë nënshkrimeve, si dhe ideja për një referendum në Kosovë lidhur me korrigjimin e kufijve me Serbinë, duket se e kanë burimin në të njëjtën konjukturë – përkatësisht ide që të kthejë mbrapsht, të e bllokojë ose së paku kushtëzojë procesin e integrimeve euroatlantike në Ballkanin perëndimor.
Pas fushatës agresive të dy presidentëve, atij serb dhe këtij kosovar, për të korrigjuar kufijtë për të cilën vetëm ata mund të dinë se nga doli me të vërtetë dhe e cila qysh e dimë hasi në kundërshtime të fuqishme sidomos në Kosovë, gati e tërë skena politike kosovare doli të jetë kundër një propozimi të këtillë, përfshirë këtu opozitën edhe pozitën. Pas refuzimit të kësaj ideje nga pjesa më e madhe e shteteve evropiane, në krye me Gjermaninë, dolën në sipërfaqe pyetje serioze se agjendë e kujt mund të jetë kjo në të vërtetë?
Ishte e çuditshme sidomos kriza e fundit e krijuar nga asgjë, me piknikun e presidentit kosovar në Ujman pa asnjë nevojë të dukshme politike, me personazhe kryesore dy personalitete të cilat kohëve të fundit kanë qenë (ar)miq për kokë. Edhe përkundër spekulimeve se prapa kësaj iniciative qëndrojnë SHBA-të, nuk u vërtetua me asnjë deklaratë zyrtare dhe as me ndonjë përkrahje indirekte se iniciativa Vuçiq-Thaçi është agjendë euroatlantike, nëse përjashtojmë këtu deklarimet e nacionalistëve të njohur serb dhe shpresat e tyre se SHBA po ndërron qëndrimin ndaj Kosovës dhe se kjo mund të jetë shenjë se SHBA-të qëndrojnë prapa saj.
Kështu, kur u shua zhurma e krijuar përmes medias së kontrolluar dhe kur ra sadopak pluhuri i këtyre deklaratave, pas hutimit të parë ka mbetur vetëm ideja e plasuar prej tyre se principet bazike të agjendës euroatlantike në Ballkan, që janë mosprekja e kufijve dhe karakteri shumë etnik i shteteve, kanë dështuar dhe se për to Vuçiq dhe Thaçi e kanë një alternativë (të tyre?).
Agjenda evropiane përmes insistimit në mos prekjen e kufijve të brendshëm të ish-Federatës jugosllave, ka bërë të pamundura agjendat e nacionalizmit serb për Serbi të Madhe, por edhe pamundëson bashkimin e shqiptarëve në një shtet, edhe sikur shqiptarët të kishin fuqi tash të bënin një gjë të tillë. Prandaj, bashkimi i shqiptarëve, edhe popujve të tjerë, në agjendën euroatlantike shihet i mundshëm veç në Evropën pa kufij. Mbi këtë bazë, projekti për korrigjimin e kufijve mbi baza etnike nxjerr brirët e një marrëveshje të fshehtë për definimin e kufirit në mes të dy popujve, atij serb dhe shqiptar në Ballkan, të sponsorizuar me shumë gjasë nga Moska dhe Ankaraja, me çka do të hidhej baza e një baraspeshe të re në Ballkanin Perëndimor, me mundësi jashtë BE-së dhe jashtë NATO-s, dhe që llogaritet se do të përkrahej edhe nga disa vende të rëndësishme evropiane.
Agjenda evropiane gjithashtu kërkon shtetin laik dhe përjashtimin e feve nga politika, që do të rrënonte shtyllat kryesore të depërtimit dhe ndikimit rus dhe turk në regjion.
Të pakënaqur me një Ballkan pa Rusinë dhe Turqinë do të ishin në Bosnjë dhe Hercegovinë – boshnjakët po edhe serbët. Edhe në Serbi, në Maqedoni dhe në Mal të zi, shumë janë ata që mendojnë se një Ballkan pa Rusinë do të ishte kundër interesave të tyre, ndërkohë që gjithnjë e më shumë edhe ndër shqiptarët ka mendime se Ballkani pa Turqinë është vështirë të paramendohet. Kjo mohohet nga kreu politik i cili ka edhe interesa të ndërthurura ekonomike dhe financiare me të, por realiteti na shfaqet lakuriq te kutitë e votimit.
Bosnja dhe Hercegovina, si objektivi kryesor rus edhe turk në Ballkan, shpërfaq më së miri edhe konfuzionin identitar të popujve të Ballkanit, në rrethanat e krijuara që karakterizohen me një politikë defanzive dhe plot dilema euroatlantike kundrejt Ballkanit, me plot kushte të cilat vështirë se do të plotësohen ndonjëherë në formën e kërkuar dhe në anën tjetër me ambiciet neoimperiale drejt Ballkanit nga (ar)miqtë historik të popujve të këtij regjioni, të cilët tani po përfitojnë shumë nga ato, qoftë në planin ushtarak qoftë në atë ekonomik, pa telashet administrative dhe ligjore të BE.
Politika serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, shpresat kryesore i ka në Moskën dhe Putinin dorëfortë të saj. Edhe boshnjakët, pjesa myslimane e tyre, mbështetet në dorën e fortë të udhëheqësit turk Erdogan. Përderisa ambiciet, përkatësisht interesat ruse për Ballkanin nuk janë fshehur asnjëherë, sidomos për korridorin e komunikimit drejt Adriatikut i cili kalon nëpër Serbi dhe Mal të Zi, korridorin drejt Selanikut e gjithsesi edhe pjesën serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës, ambiciet e Turqisë në Ballkan kanë qenë më të mbuluara dhe vetëm nën dritën e marrëdhënieve të sforcuara me Rusinë kanë marrë formën e pretendimeve të hapura dhe të legjitimimit të interesave të veta, sidomos ndër myslimanët, pra në Bosnje, në Shqipëri, në Maqedoni dhe në Kosovë. E ashtu quajtura transversalja e gjelbër ishte dhe mbeti ëndërr e neoosmanistëve në Ballkan.
Koalicioni ruso-turk në Siri u tregua efektiv dhe ata llogarisin se edhe në Ballkan mund të kenë rolin vendimtar përballë Evropës heterogjene dhe SHBA-të e painteresuara për këtë zonë. Përjashtimi i Turqisë nga Evropa, me bllokimin e procesit eurointegrues dhe interesat e ndara rreth Lindjes së Afërme, kanë bërë që Ankaraja zyrtare të kërkojë partner tjetër, jashtë NATO-s, dhe bashkë me Rusinë të shpalosë alternativën euro-aziatike për Ballkanin Perëndimor. A është ky vetëm kërcënim, për BE-në dhe Perëndimin në përgjithësi, apo është projekt tashmë në realizim e sipër, mbetet të shihet muajt në vijim. Sido që të jetë, iniciativa për ndryshimin e kufijve, sikur pas një vetëtime që shkreptinë qiellit, shpërfaq konturat e kësaj alternative e cila do të detyronte serbët, shqiptarët, boshnjakët dhe të tjerët në regjion të përcaktohen rreth modelit evropian apo atij euroaziatik të organizimit të tyre shoqëror, politik e shtetërorë.
Kosova politike e la vetëm presidentin Thaçi me agjendën euro-aziatike në dorë. Mbetet të shihet se cilat do të jenë pasojat e kësaj loje të re me gurët e kufirit? A ka ende ndokush dilema se kush dhe përse e kishte krijuar krizën rreth kufirit me Malin e Zi, dikur?