Në kuadër të “Ditëve të Biznesit”, sot u mbajt konferenca informuese me bizneset e rajonit të Ferizajt, organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt.
Në konferencë morën pjesë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ministri i Financave, Avdullah Hoti, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, drejtori i KIESA-s Besian Mustafa, përfaqësues nga ATK, Dogana e Kosovës, përfaqësues të institucioneve lokale si dhe përfaqësues të bizneseve nga rajoni i Ferizajt.
Bizneset në këtë konferencë u informuan hollësisht rreth shërbimeve që ofrojnë institucionet qeveritare sa i përket zhvillimit të ndërmarrësisë dhe krijimit të kushteve më të mira për të bërit biznes.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në fjalën e saj, foli për angazhimet e Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar dhe fuqizuar më tej sektorin privat në Kosovë. Ajo potencoi të arriturat e deritanishme dhe foli për hapat konkret që janë ndërmarrë për të institucionalizuar dialogun publiko-privat. “Eliminimi i barrierave tregtare, politikat fiskale, formimi i grupeve punuese për çështje të biznesit, certifikimi i produkteve, janë disa nga aktivitetet e ndërmarra për përmirësimin e ambientit të bërit biznes në Kosovë”, tha ministrja Bajrami.
Ajo ritheksoi se qëllimi i pjesëmarrjes në këto konferenca, të cilat janë duke u organizuar në të gjitha rajonet e Kosovës, është informimi dhe bashkëbisedimi me bizneset për t’i dëgjuar sfidat me të cilat ballafaqohen ato.
Mes tjerash, ministrja Bajrami i informoi përfaqësuesit e bizneseve edhe për rëndësinë e Fondit për Garantimin e Kredive i cili është themeluar, e që do të lehtësojë qasjen në financa të bizneseve të vogla dhe të mesme duke u krijuar atyre mundësi që të konsolidohen dhe të shtojnë veprimtarinë e tyre afariste si dhe të rrisin numrin e të punësuarve.
Në fund të konferencës u shpallën edhe ndërmarrjet më konkurruese në rajonin e Ferizajt:
– Top Ndërmarrja e Mesme më Konkurrente e vitit u shpall kompania “KIVO”L.L.C;
– Top Ndërmarrja e Vogël më Konkurrente e vitit u shpall “B.B.F – COMPANY” SH.P.K;
– Top Mikrondërmarrja më Konkurrente e vitit u shpall ndërmarrja N.P.T. “ANB-BALIU”;
Pas konferencës ministrja Bajrami bashkë me delegacionin pjesëmarrës vizituan kompanitë: “NTP Cadi Komerc”, “NPT Rolleo”, ku u njohën për së afërmi me aktivitetin e tyre.