Prodhuesit kosovarë presin që nga fillimi i vjeshtës të ulet kostoja e transportit detar në mënyrë që çmimet e produkteve të ulen, raporton Ekonomia Online.
Sipas pronarit të kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi, rritja e çmimeve të lëndës së parë sidomos asaj të importuar, është si pasojë e pandemisë. Tutje, ai tha se kompania “Frutex” për momentin nuk ka në plan të ndryshojë çmimet.
“Si pasojë e pandemisë dhe rritjes së kërkesave në këtë vit ka ndodhur rritja e çmimeve të lëndës së parë sidomos të asaj të importuar dhe kjo sigurisht që do të ndikojë në rritjen e kostos së produkteve por ne si kompani për momentin nuk kemi në plan të ndryshimit të çmimeve”.
“Por meqenëse ka një rritje të kërkesës ne mendojmë që rritja e kërkesës do ta mbulojë edhe rritjen e çmimeve kështu që mendoj se si kompani do të jemi me profit të njëjtë por me punë më të madhe. Kështu që nuk shohim rritje të këtyre çmimeve së paku deri në fund të vitit sepse për një pjesë të lëndës së parë kemi marrëveshje vjetore që nuk e kanë prekur çmimin e produkteve të lëndës së parë të një pjesë”.
“…ne shpresojmë që është një rritje artificial si rezultat i rritjes të transporteve detare të cilët janë dhjetëfishuar dhe unë pres që nga fillimi i vjeshtës këto çmime të transportit detar të ulen dhe kjo të ndikojë edhe në uljen e çmimit të këtyre produkteve”, tha Palushi.
Burim Piraj, pronar i industrisë së mishit “Meka”, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se rritja e shitjes së produkteve vendore bëhet gjatë sezonës verore shkaku i ardhjes së bashkatdhetarëve.
Tutje, ai tha se ka një interesim më të madh në konsumin e produkteve vendore, duke shtuar se konsumatori ka qenë pre e një propagande që është zhvilluar nga kompani të ndryshme jashtë Kosovës.
“Gjatë sezonit veror kur vijnë bashkatdhetarët ka rritje të shitjes së prodhimeve vendore, mirëpo edhe para fillimit të sezonit është krijuar një rritje e ndjeshme e shitjes të produkteve vendore. Ka filluar një interesim më i madh në konsumin e produkteve vendore dhe është vetëdijesuar konsumatori se me të vërtetë ka qenë pre e një propagande që është zhvilluar nga kompani të ndryshme jashtë Kosovës për produkte vendore që në mënyra të ndryshme është manifestuar ajo dhe konsumatori e ka humbur interesimin e produkteve vendore sepse kemi prodhues vendor shumë cilësor”.
“Ne kemi arritur ta bindim konsumatorin se mund të ofrojmë produkte cilësore. Për momentin interesimi i qytetarëve për të blerë produkte vendore është jashtëzakonisht i kënaqur. Bashkatdhetarët na japin një shtytje shumë të madhe sepse blejnë produkte tona vendore”, tha Piraj për EO.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit tregon për rritje të çmimeve për 2.4 për qind në muajin qershor, krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Ndërkaq, inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit, sipas ASK-së ishte i pandryshuar në muajin qershor 2021, krahasuar me muajin maj 2021.
Ngritje më e madhe në çmime është vërejtur te vajrat dhe yndyrat ushqimore.
Ngritje e çmimeve është regjistruar edhe buka dhe drithërat, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal, më pas te duhani dhe produkte tjera.
Sipas ASK-së, rënie e çmimeve vërehet te pajisjet telefonike dhe të ato të telefaksit.
Agjencia e Statistikave të Kosovës analizon çmimet në 14 komuna të Kosovës.