Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës, mbajtën sot konferencën informuese me bizneset e rajonit të Gjakovës.
Konferenca është organizuar në kuadër të “Ditëve të Biznesit të Vogël 2016”, ku të pranishëm ishin: përfaqësues të komunal të Gjakovës, ATK-së, Doganave të Kosovës, KEDS/KESCO, AZHR-së, si dhe përfaqësues të shumtë të bizneseve.
Bizneset u informuan hollësisht rreth shërbimeve që ofrojnë institucionet qeveritare në përkrahjen e vazhdueshme që e bëjnë për të zhvilluar ndërmarrësin dhe për të krijuar kushte më të mira për biznesin.
Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati, në fjalën e tij, tha se jemi takuar sot për të diskutuar problemet të arriturat e bizneseve në rajonin e Gjakovës, ku pastaj nga rekomandimet e dala nga këto konferenca që janë mbajtur dhe do të mbahen në tërë rajonet e Kosovës, të mund të ndërmarrim hapat e nevojshëm institucionalë për t’i zgjidhur problemet me të cilat ballafaqohen bizneset në Kosovë.
“Ne si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm në lehtësimin e zhvillimit të bizneseve, duke reduktuar barrierat administrative, duke përmirësuar shërbimet në dhënien e lejeve dhe licencave, kemi ulur taksat, unifikuar numrin e regjistrimit të biznesit me numrin e eksport/importit që merret në Doganë dhe me atë të ATK-së, duke bërë racionalizimin e shpenzimeve nga Qeveria si dhe duke rritur shërbimet nga MTI-ja kundrejt bizneseve duke eliminuar burokracinë në institucione”, theksoi Kastrati.
Ai po ashtu potencoi se jemi duke punuar në projektin për Certifikimin e produkteve me të cilin prodhuesve iu mundësohet certifikimi i produkteve të tyre, që përveç tregjeve vendore synohen edhe tregjet ndërkombëtare duke konkurruar me produkte cilësore të certifikuara.
Zëvendësministri Kastrati tha se MTI është duke punuar në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, e cila lejon qasje në tregun evropian dhe ofron mundësi të mira për kompanitë prodhuese kosovare që të depërtojnë në tregjet e reja në vendet e BE-së.
“Në raportin e fundit të Bankës Botërore për të bërit biznes është konfirmuar përmirësimi i mjedisit afarist në Kosovë, duke e ngritur rangimin e Kosovës në vendin e 60-të në nivel botëror. Ligji për investime strategjike ka kaluar në Kuvendin e Kosovës dhe pritet të implementohet së shpejti duke krijuar mundësi për investime në Kosovë dhe njëkohësisht edhe në rajonin e Gjakovës”, tha Kastrati.
Ndërsa, Silvana Domi, drejtoreshë e Zhvillimit Ekonomikë në Komunën e Gjakovës prezantoi projektet dhe shërbimet që ofron kjo komunë për bizneset.
Nol Buzhala, Drejtor i Drejtoratit për Zhvillimin e Sektorit Privat në KIESA, prezantoi shërbimet që ofrohen nga departamentet/agjencitë që veprojnë në kuadër të MTI-së. Ndërsa përfaqësuesit nga ATK-ja dhe AZHR-ja prezantuan politikat fiskale përkatësisht aktivitetet në përkrahje të bizneseve.
Në fund të konferencës u shpallën edhe ndërmarrjet më konkurruese në rajonin e Gjakovës:
Top Ndërmarrja e Mesme më Konkurrente e vitit N.P.T “HAXHIJAHA” SH.P.K
Top Ndërmarrja e Vogël më Konkurrente e vitit N.P.T “GERBERLAND” SH.P.K
Top Mikrondërmarrja më Konkurrente e vitit “HEINZE” SH.P.K
Pas konferencës zëvendësministri Kastrati vizitoi kompanitë: “Wear&Go” dhe “Heinze” sh.p.k., ku u njoh për së afërmi me aktivitetin e tyre.