Në Gjakovë vihet gurthemeli i impiantit për trajtimin e ujërave të ndotura

Gjakovë | 19 Qer 2018 | 16:14 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Gjakovë është mbajtur ceremonia e vënies së gurthemelit të Impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në këtë komunë.

Kostoja totale e punëve, furnizimeve dhe konsulencës kap shifrën rreth 17 milionë euro. Financimi është bërë përmes një granti prej 8 milionë euro nga Zvicra dhe një granti 6 milionë euro nga qeveria gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim KfW, ndërsa pjesa tjetër është plotësuar nga buxheti i Kosovës.

Gurthemeli i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Gjakovë, është një proces i angazhimit të Ministrisë, donatorëve dhe ujësjellësve për të ta kompletuar gjithë sistemin nga prodhimi i ujit deri te trajtimi i ujërave të zeza në vend, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ku morën pjesë dhe drejtues të institucioneve të tjera, ambasadorë të vendeve donatore dhe aktorë të sektorit të ujërave.

Ministri Lluka theksoi se ky sukses nuk do të ishte i arritshëm pa ndihmën e donatorëve si Qeverisë Gjermane dhe asaj Zvicerane. “Sot në Kosovë trajtojmë vetëm 2% të ujërave të zeza, derisa në vende e zhvilluara është e kundërta. Por ne do ta ndërrojmë këtë kahe. Impianti për trajtimin e ujërave të zeza ka filluar në Prizren, tash po fillon në Gjakovë dhe shumë shpejtë do të fillojë edhe në Pejë. Këto tri impiante dhe me impiantin që është në proces e sipër në Prishtinë, ne do të trajtojmë rreth 60% të ujërave të zeza në Kosovë”, tha Lluka, raporton Ekonomia Online.

Ministri bëri të ditur se aktualisht rreth 84% e qytetarëve kanë të qasje në ujësjellësit rajonal, derisa 7% kanë sisteme vetanake të furnizimit, ndërsa rreth 72 % e qytetarëve kanë qasje në kanalizime.

Lluka njoftoi se MZhE-ja ka ndarë 10 milionë euro për tri vitet e ardhshme dhe se në bashkëpunim me donacionin e Qeverisë Zvicerane prej 8 milionë euro të bëhet integrimi i të gjitha fshatrave në sistemin e ujësjellësve rajonale

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se ky donacion është më i madhi që ka ndodhur në komunën e Gjakovës.

“Ky është donacioni më i madh që ka ndodhë në komunën e Gjakovës pas luftës. Para luftës nuk ka pasur donacione dhe ky është më i madhi që ka ndodhë ndonjëherë në komunën e Gjakovës. Kjo më bën mua që të falënderoj qeverinë dhe popullin gjerman dhe zviceran për këtë ditë të jashtëzakonshme për qytetarët dhe popullin tonë”, tha Gjini.

“Krahas trajtimit të ujërave dhe pastërtisë që e sjellë në komunën tonë dhe kjo pjesë që nuk po dua që njerëzit të harrojnë, një implant i tillë ka me sjellë mundësi për hulumtim, për zhvillim, zhvillim të teknologjisë, të dijes të njerëzve tanë, njerëzit e udhëhequr nga drejtori Ahmeti kanë me mbërri që të zhvillohen edhe vetë”, shtoi Gjini.

Edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se qytetarët e Gjakovës duhet t’i gëzohen këtij investimi.

“Për mua është një ditë e veçantë që po e bëjmë fillimin e punimeve për trajtimin e ujërave të zeza që ka qenë diskutim para 7 viteve dhe duke falënderuar qeverinë gjermane dhe zvicerane dhe drejtorin e KRU Gjakova dhe tani kryetarin e Gjakovës që ka treguar që është i gatshëm të marrë përgjegjësi dhe të bashkëpunojë për të mirën e qytetarëve, kemi arritur në këtë moment të rëndësishëm për qytetarët e Gjakovës. Prandaj mesazhi im është qytetarët duhet t’i gëzohen këtij investimi dhe që Gjakova po e merr hovin e zhvillimit e sidomos në trajtimin e ujërave të zeza por edhe ujin e pijes”, tha Lekaj.

“Ky investim ka impakt të rëndësishëm në jetën e qytetarëve, në shëndetin e tyre dhe me një klimë ambientale çfarë e kërkojnë qytetarët”, shtoi Lekaj.

Jean-Hubert Lebet, ambasadori zviceran në Kosovë, tha se është kënaqësi për të që të përfaqësojë taksapaguesit zviceranë këtu. “Kjo ceremoni shënon fillimin e ndërtimit të impiantit të ri për trajtimin e ujërave të zeza dhe shpresoj që vitin tjetër do të takohemi përsëri për inaugurimin e një impianti i cili do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve të Gjakovës”, tha Lebet.

Roland Siller, nënkryetar i Bankës Gjermane për Zhvillim KfW, tha se shpreson që me këtë projekt do të përmirësohet cilësia e jetës së qytetarëve në Gjakovë.

“Është nder i madh për mua të jem prezent në vendosjen e gurthemelit të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza duke marrë parasysh punën time prej 12 vite këtu dhe siç u tha është njëri ndër investimet më të mëdha të viteve të fundit në Gjakovë dhe impianti i dytë i trajtimit të ujërave të zeza që po ndërtohet në këtë pjesë të Kosovës, por kjo nuk është e rëndësishme vetëm për Kosovën, por edhe për vendet fqinje dhe kam dëgjuar që Gjakova është e njohur për cilësinë e ujit dhe shpresoj që me këtë projekt edhe ujërat e shkarkuara në lumenj do të kenë këtë cilësi dhe do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve në Gjakovë por do të ketë shembull edhe për vendet fqinje siç është Shqipëria”, tha Siller.

LEXO EDHE:

http://cs13.temp.domains/~ekonomia/ekonomi/lluka-ne-kosove-trajtohen-vetem-2-te-ujerave-te-zeza-kemi-mbetur-jashtezakonisht-mbrapa-ne-kete-aspekt/

Të ngjashme