Pamja e ardhshme e qytetit të Gjilanit do të varet nga krijuesit e arteve pamore. Kështu iu është drejtuar artistëve gjilanas, kreu i Komunës, Lutfi Haziri, në ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimeve në kuadër të shtyllës “Peneli i Flakës 2017”.
Në hapje të ekspozitës së arteve pamore “Peneli i Flakës 2017”, në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2017”, është mbajtur edhe ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimeve.
Në fjalën e tij hapëse kreu i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, pasi ka vënë në spikamë kontributin e artistëve pamor gjatë rrjedhës ndër vite të manifestimit “Flaka e Janarit”, ka inkurajuar ata në këtë përvjetor, dedikuar veprës së heroit Idriz Seferi, në nderim të të cilit këtë vit do të bëhet inaugurimi i shtatores së tij në Gjilan.
“Krijuesit e arteve pamore kanë dëshmuar në kontinuitet se janë bartësit kryesorë, jo vetëm të “Flakës së Janarit” që e bënë Gjilanin kryeqytet kulturor, por edhe manifestimeve tjera kulturore gjatë gjithë këtij viti. Për krijues është lajm dedikimi përvjetorit të Idriz Seferit, shtatorja e të cilit do të vendoset në Gjilan, por pamja sesi do të duket kjo shtatore, do të varet nga krijuesit, ka thënë Haziri, duke inkurajuar krijuesit në përgjithësi, veçmas skulptorët”, tha Haziri.
Pasi ka theksuar përkushtimin e institucioneve komunale në derim të figurave të dëhsmorëve dhe heronjëve në përgjithësi, Haziri ka inkurajuar artistët në përgjithësi, për koordinim dhe bashkëpunim të ndërsjellë, me qëllim që përmes krijimeve të tyre t’i jepet Gjilanit pamje e merituar, ndërsa ka theksuar se pjesa më e madhe e hapësirave të qytetit do ta mbulohet nga veprat skulpturore.
“Pjesën më të madhe do të marrin skulpturat prandaj ju inkurajoj që të angazhohemi bashkë në mënyrë që këtë vit t’i japim Gjilanit pamjen që meriton, por edhe një pamje artistike sikurse në çdo vend tjetër në Europë, përmes punimeve të ekspozuara në vendet më të frekuentuara, aty ku qytetarët kanë qasje më të theksuar”, shtoi kryetari Haziri.
Në fund të ceremonisë është bërë ndarja e çmimeve të edicionit të këtij të viti “Peneli i Flakës”.
Juria vlerësuese e punimeve, çmimin kryesor, atë blerës, ia ndau skulptorit Sabri Shaqiri, derisa për tri cmime tjera është përcaktuar për punime kryesisht në pikturë, të autorëve, Faton Mazrekaj, Xhevdet Dula dhe Skënder Idrizi.