Kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka mbajtur para pak çastesh një konferencë për media, ku ka publikuar gjetjet sa i përket ditës së votimit.
“Bashkë me kolegët e mi, kemi vizituar sot 42 shtabet e nëndegëve të LDK’së në qytet dhe fshatra, sikur që kemi qenë vazhdimisht në koordinim edhe me partnerët e koalicionit në Gjilan dhe Anamoravës. Deri në ora 17:00, sipas përfaqësuesve tanë në qendra të votimit, kanë dalë 39 për qind të qytetarëve”.
“Përgjithësisht, jemi të kënaqur me daljen e njerëzve, por apeloj qytetarët që ta shfrytëzojnë edhe orën e fundit, që të votojnë për mbrojtjen e Republikës. Në këtë mënyrë, do të parandalojnë edhe çdo keqpërdorim të mundshëm. Kemi vërejtur disa probleme teknike, e parregullsi, të cilat janë eliminuar, pastaj dy intervenime të shpejta të policisë. Ajo që është e rëndësishme është që kemi punuar për parandalimin e trenit bullgar”.
“Rasti më i rëndë është i një OJQ-je të certifikuar, përkrahëse e PDK-së, e cila vazhdimisht në shumë raste ka tentuar të ndikojnë tek votuesit për instruksione e këshilla të ndryshme. Në rastin e dytë, janë suflerat e Lëvizjes së Kuqe, që tregojnë se si të votojnë, e këta janë të Lëvizjes së Kuqe. Kemi gjetur disa raste kur në librat zyrtar të kandidatëve në qendrat e votimit, kanë qenë të rrumbullakësuar disa nga kandidatët e Lëvizje së Kuqe”.
Çdo tendencë për t’i futur duart në kuti, sikur në buxhet, është e papranueshme”, ka thënë, ndër të tjera, kryetari Haziri në konferencën me gazetarë.