Në Gjilan kërkohet anulimi i ekskursioneve jashtë vendit

Prishtinë | 06 Sht 2017 | 16:16 | Nga

Komiteti i Arsimit, në mbledhjen e rregullt të udhëhequr nga kryesuesi Arben Mehmeti, ka ripërsëritur rekomandimin që të ndërpriten ekskursionet jashtë vendit, sepse siç kanë vlerësuar, nxënësit janë të instrumentalizuar dhe ato nuk po bëhen për qëllime të përfitimit profesionale të nxënësve, por për përfitime të agjencive e hoteleve të ndryshme.

“Kemi kërkuar që planifikimin për katër vitet e ardhshme i DKA-së të plotësohet edhe më tutje në harmoni të plotë me interesat e institucioneve të arsimit në Komunën e Gjilanit, të cilat mund të kenë specifika të ndryshme. Gjithashtu, KA si trupë profesionale e Kuvendit të Komunës, ka kërkuar që urgjentisht të ndërpriten organizimet e ekskursioneve jashtë vendit nga shkollat e ndryshme, përderisa nuk ndryshohet forma e organizimeve. Prandaj, e kemi ripërsëritur këtë rekomandim në adresë të DKA-së që të ndërmarrë të gjitha veprimet me qëllimin që të ndryshoj formën e organizimit të ekskursioneve dhe ato të jenë krejtësisht ndryshe nga forma e deritanishme”, ka bërë të ditur kryesuesi Arben Mehmeti.

Gjithashtu, KA ka kërkuar angazhim maksimal të Drejtorisë së Arsimit, që dukuritë negative të trajtohen me prioritet dhe të zgjidhen, sikurse që ka kërkuar që me kohë të bëhen intervenimet nëpër shkolla duke mos penguar procesin e mësimit.

 

Të ngjashme