Në Gjilan ndërtohen 45 shtëpi për skamnorët

Gjilan | 08 Maj 2017 | 14:14 | Nga

Komuna e Gjilanit me përkrahjen e donatorëve, kryesisht mërgimtarë, kanë arritur të ndërtojnë 45 shtëpi për familjet në nevojë, kanë meremetuar 40 shtëpi të tjera, derisa 48 familjeve po ua paguajnë qiratë sipas kërkesave të tyre.

Këto shifra ka bërë sot publike drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Nexhat Hajrullahu, i cili ka falënderuar të parin e Gjilanit, Lutfi Haziri, për përkrahjen e madhe, duke e vënë shëndetësinë dhe zbutjen e gjendjes sociale si prioritetin e parë të qeverisjes.

“Nëse të gjitha këto punë i shndërrojmë në mjete materiale, i bie që Komuna së bashku me donatorët, ka investuar afro 800 mijë euro për këtë kategori”, ka thënë Hajrullahu, gjatë adresimit para gazetarëve.

Nga skema për subvencionimin e personave me probleme shëndetësore, familjarëve ose të afërmve të tyre, që lidhet me nevojën e mjekimit dhe trajtimit shëndetësor të tyre për vitin 2017, Harullahu tha se në DShMS janë parashtruar dhe shqyrtuar 263 kërkesa, ndërsa janë referuar për Ministri të Shëndetësisë mbi 45 kërkesa, shumica absolute e tyre janë përkrahur financiarisht.

Ndërsa, sa i përket subvencionet për barna për këtë katër-mujor, i pari i Shëndetësisë në Gjilan pohoi se kapin vlerën mbi 12 mijë euro, përderisa është shprehur i kënaqur që po vazhdojnë t’i subvencionojnë shoqatat me nevoja të veçanta, si “Handikos”, Shoqatën e të Verbërve, Shoqata e Shurdhmemecëve, “Pema”, OVL-UÇK e të tjera.

“Vlen të theksohet se përmes buxhetit të komunës jemi duke përkrahur financiarisht edhe 15 familje të Dëshmorëve dhe Invalidëve të UÇK dhe UÇPMB-së, në vlerën 130 euro mujore, 1950 në bazë mujore dhe 23 mijë e 600 euro në bazë vjetore”, tha Hajrullahu.

Drejtori i DSHMS në Gjilan ka shtuar se po vazhdojnë të pranojnë donacione nga shoqatat e huaja, si bie fjala për shoqatën austriake “Rumanien hilfe” e cila ka mbështetur Gjilanin me mjete të ndryshme për personat me nevoja të veçanta dhe familjet në nevojë në shumën prej mbi 200 mijë euro.

“Sa i përket shërbimeve shëndetësore, QKMF dhe QMF-të janë duke kryer shërbime cilësore, me përkushtimin profesional të stafit shëndetësor”, është shprehur Hajrullahu gjatë prezantimit të punës katër mujore të kësaj drejtorie. ​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme