Në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë ka përfunduar testimi i maturës, ku provimit iu nënshtruan rreth 150 nxënës, të shpërndarë në afërsisht dhjetë salla testimi, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i këtij gjimnazi, Betim Sylejmani, tha se procesi i testimit ka kaluar pa probleme sa i përket organizimit, ndërsa në qendën e testimit kanë qenë të pranishëm edhe zyrtarë të Inspektoratit të Arsimit.
“Po në gjimnazin “Sami Frashëri”, testit iu kanë nënshtruar 150 nxënës, gjithsej rreth dhjetë salla të testimit, gjithçka ka qenë në rregull sa i përket çështjeve organizative, tashmë edhe veç ka përfunduar provimi. Po, patjetër. Inspektoriati i Arsimit e kemi pasë që nga fillimi i testit kanë qenë prezentë, poashtu edhe komisioni i maturës në kuadër të kësaj qendre, nuk ka pasur ndonjë evidentim apo ndonjë shkelje nga administruesit apo nga komisioni dhe po mendoj që ka qenë në rregull”, tha Sylejmani.
Ndërkaq një nxënës i kësaj shkolle, Sad Vezdikllar tha se testi ishte i vështirë dhe se afatin e parë për shkak të një gabimi me emrin e tij nuk ka mundur t’i nënshtrohet testit të maturës.
“Mirë ka shku testi, testi ke ashtu i vështirë, po për herë të parë, pasi që herën e parë ma kishin shkruar të ekosova emrin gabim dhe tani me afat të dytë. Jo me kopju sna kanë lanë hiç, na këqyrshin mirë, s’kena mujt me kopju. Po besoj që e kaloj”, tha ai.

