Në Hagë po gjykohet liria dhe pavarësia e Kosovës

Prishtinë | 22 Gus 2024 | 18:50 | Nga Adriatik Kelmendi

Në Hagë nuk po gjykohen individët. Në Hagë po gjykohet liria dhe pavarësia e Kosovës.

Jo rastësisht, të akuzuarit janë kreu politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, kryeinspektori i UÇK-së, Rexhep Selimi, zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, dhe shefi i inteligjencës së UÇK-së, Kadri Veseli.

Pra, krejt udhëheqja e ushtrisë çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës.

Kryefjalë e aktakuzës së Hagës është se këta të katërt janë bashkuar jo për kauzën e shenjtë për liri, por – paramendojeni! – për të formuar “organizatë të përbashkët kriminale”!

Nëse Thaçi, Rexhepi, Krasniqi dhe Veseli shpallen fajtorë sipas kësaj aktakuze, i bie se lufta e UÇK-së ka qenë luftë me synime kriminale dhe jo çlirimtare.

Nëse liria e pavarësia qenkan arritur me “organizime kriminale” edhe arritjet e saj i bie se qenkan kriminale, pra “liri kriminale” dhe “pavarësi kriminale”.

Kjo është shumë e rrezikshme dhe me pasoja afatgjata për shtetësinë e Kosovës.

Të zënë me betejat e brendshme politike, sot liderët e Kosovës fatkeqësisht nuk po janë të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është që krerët e UÇK-së të shpallen të pafajshëm.
Krejt ata që kurrë nuk ia kanë dashur të mirën shqiptarëve dhe Kosovës kanë punuar dhe po punojnë që UÇK-ja të shpallet “organizatë kriminale”, se kështu minohet më së miri shtetësia e Kosovës.

S’ka akt më të lartë patriotik sot sesa të ndihmohen Thaçi, Selimi, Krasniqi dhe Veseli që ta fitojnë këtë betejë. Se kjo nuk është betejë e katër individëve, kjo është betejë për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Të ngjashme