Në Venezuelë u mbajt inaugurimi i presidentit të ri/të vjetër Nicolás Maduro dhe në listën e të ftuarve ndërkombëtarë ishte edhe emri i kryetares së Kuvendit Kombëtar të Serbisë, Ana Brnabić. Brnabić ishte e vetmja përfaqësuese e një vendi evropian në këtë inaugurim, i cili u bojkotua nga një numër i madh i liderëve botërorë.
Ish-kryeministrja serbe mbërriti në Karakas, kryeqytetin e Venezuelës, si e dërguar e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, ku u gjend në shoqërinë e “përzgjedhur” – liderët e Kubës dhe Nikaraguas, shkruan Indeks.hr
Lista e vendeve që bojkotuan këtë inaugurim është dukshëm më e gjatë se lista e vendeve që morën pjesë në inaugurim dhe përfshin anëtarët e Bashkimit Evropian, SHBA-në dhe disa vende që kufizojnë Venezuelën, si Brazili dhe Kolumbia. Përfaqësuesit e Argjentinës dhe Kilit, udhëheqësit e të cilëve e quajtën Maduro një diktator, munguan gjithashtu në inaugurim.
“Faleminderit që nuk e njohët Kosovën”
Kryetarja e Kuvendit Kombëtar të Serbisë, Ana Brnabiq, sipas mediave serbe, ka deklaruar sot në Karakas se Venezuela është mike e madhe e Serbisë dhe ka kujtuar se vendi nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
“Venezuela është një nga ato vende që respekton të drejtën ndërkombëtare dhe rendin juridik ndërkombëtar, paprekshmërinë e kufijve të njohur ndërkombëtarisht të të gjitha shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara. Është një nga vendet që qëndron fort me Serbinë dhe qëndrimin se Kosova dhe Metohia janë pjesë integrale e Serbisë”, deklaroi Brnabiq.
“Fitore e padrejtë”
Kujtojmë se shumë bojkotuan inaugurimin e presidentit të Venezuelës pasi një sërë organizatash ndërkombëtare vlerësuan se Maduro kishte fituar zgjedhjet në mënyrë të padrejtë. Fituesi i vërtetë konsiderohet kreu i opozitës Edmundo Gonzalez.