Në Indi regjistrohen 375 mijë raste pozitive me Coronavirus në 24 orët e fundit

Prishtinë | 29 Pri 2021 | 08:35 | Nga Ekonomia Online

India ka vendosur një rekord të ri botëror sa i përket rasteve ditore pozitive me koronavirus. Të enjten India ka raportuar se afro 375 mijë persona janë infektuar me koronavirus në 24 orët e fundit, njofton agjencia AP.

India ka regjistruar më tepër se 18.3 milionë raste pozitive me koronavirus, është vetëm prapa SHBA-së në listë. Ministria e Shëndetësisë ka raportuar edhe 3645 raste të vdekjes me COVID-19 në 24 orët e fundit, duke çuar shifrën totale në 204.832.

Ekspertët besojnë se shifrat reale janë edhe më të mëdha, por është e paqartë se sa më të larta.

India ka vendosur rekorde botërore për raste pozitive me koronavirus në shtatë nga tetë ditët e fundit.

Duke filluar nga e mërkura, gjithë qytetarët e Indisë të moshës nga 18 vjet e më tepër janë lejuar të regjistrohen për vaksinim në aplikacionin qeveritar, por rrjetet sociale janë vërshuar me ankesa se aplikacioni ka pasur probleme të shumta për shkak të përdorimit të madh.

Vaksinimi masiv kundër COVID-it ka nisur në janar. Afro 10 për qind e qytetarëve kanë marrë dozën e parë të vaksinës, por vetëm rreth 1.5 për qind kanë marrë të dy dozat sa duhet.

Të ngjashme