Në Infektivë asnjë pacient me Delta+, Kosova s’është imune nga vala e re e Covidit

Prishtinë | 20 Nën 2021 | 07:45 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i Klinikës Infektive Arben Vishaj në një intervistë për Ekonomia Online ka konfirmuar se në këtë  Klinikën janë duke u trajtuar tre pacientë me Covid-19.

Tutje, doktor Vishaj tha se pacientët post-Covid janë duke u trajtuar në Klinikën e Pulmologjisë. Mes tjerash, Vishaj theksoi se nuk ka asnjë pacientë deri më tani të infektuar me variantin e ri Delta Plus.

“Në Klinikën Infektive gjendja e përgjithshme e pacientëve është e mirë. Ne i kemi gjithsej tre pacientë të spitalizuar. Pacientët post-Covid trajtohen në Klinikën e Pulmologjisë. Ne i kemi tre pacientë nëpër reparte që janë jo-Covid”.

“Ne nuk kemi regjistruar në Klinikën Infektive raste me Delta Plus po në bazë të raportit të Institutit kemi marrë informata të cilat janë shpërndarë që edhe në Kosovë tashmë virusi Delta Plus është prezent. Ne nuk kemi pasur pacientë të spitalizuar me Delta Plus”, tha Vishaj.

Sipas tij, Kosova do të përfshihet nga valët e reja, duke shtuar se mënyra më e mirë për ta parandaluar infeksionin është vaksinimi masiv i popullatës. Vishaj poashtu tha se mbylljet i rekomandon IKShPK-ja.

“Edhe Kosova është pjesë e rajonit dhe Evropës dhe si e tillë nuk është imune ndaj mundësisë së paraqitjes së infeksionit dhe valëve që janë të mundura. Ne jemi të vetëdijshëm se një gjë e tillë është e mundur të ndodhë dhe fatkeqësisht do të ndodh por atë që e rekomandojmë është që këto valë që vijnë  të jenë sa më të lehta dhe kjo arrihet përmes vaksinimit dhe po shpresojmë që popullata jonë të vaksinohet së shumë të jetë e mundur”.

“Mbylljet i rekomandon IKShPK, por ne nuk i quajmë mbyllje por masa të domosdoshëm me qëllim të shpëtimit të jetëve dhe kjo nuk duhet të konsiderohet assesi mbyllje”, tha ai, raporton EO.

“Vaksina ka ndikim të jashtëzakonshëm dhe arma më e sigurt është vaksinimi. Ne nuk mund të dimë se si do të sillet një virus i ri por jemi duke vërejtur se vaksinimi zbut manifestime klinike ku ndodh infeksioni. Doza e tretë është e rëndësishëm te ata që janë me sëmundje bashkëshoqëruese”.

Të ngjashme