Gjendja e lehonës së infektuar me Coronavirus e cila sjelli në jetë një foshnje është në gjendje të mirë, poashtu dhe gjendja e foshnjës është stabile.
Drejtori i Gjinekologjisë, Jakup Ismaili, tha për Ekonomia Online se pacientja pritet të lirohet gjatë ditës për në shtëpi.
Por tha ai se fillimisht do të vendoset nga IKShP-ja nëse ka nevojë për testim.
“Pacientja ka lindur mbrëmë pas orës 21:00. Lindja ka qenë normale, gjendja e përgjithshme e nënës dhe foshnjës është e mirë”.
“Sot vizituam në mëngjes dhe brenda ditës pritet të lirohen në shtëpi në konsultim me rekomandimet e IKShP-së nëse ka nevojë për testim ose analizë tjetër”, tha Ismaili.
Mes tjerash, Ismaili ka treguar se në Klinikën Infektive është hospitalizuar edhe një paciente shtatzënë.
Siç njoftoj ai, gjendja e saj dhe e foshnjës është e mirë, derisa tha se nëse nuk ka komplikime në javën e ardhshme do ta përfundojnë lindjen, raporton EO.
“Edhe një paciente tjetër shtatzënë me Coronavirus është hospitalizuar në Klinikën Infektive, është në javën e 36-të, është shtatzënia e tretë me radhë dy lindjet tjera i ka me prerje cezariane. Gjendja e saj dhe e foshnjës është e mirë, po monitorohet çdo ditë me ultrazë dhe me CTG”.
“Ishte edhe ekipi kujdestar dhe na informuan se gjendja e përgjithshme është e mirë, po presim që në javën tjetër nëse nuk përkeqësohet gjendja ta përfundojmë lindjen”, ka thënë Ismaili.