Dita e dytë e Javës së Gruas 2018, është karakterizuar me lansimin e Fondacionit Jahjaga, një iniciativë e Presidentës Atifete Jahjaga (2011 – 2016), ku si qëllim ka të sjellë një qasje të re në angazhimin dhe përfaqësimin efikas dhe domethënës të grupeve të margjinalizuara, me theks të veçantë të grave dhe të rinjve në Kosovë.
Gjatë ditës u organizuan disa panele për të hapur diskutim me pjesëmarrësit e javës së gruas dhe mysafirët e pranishëm rreth temave për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, korrupsionin si kërcënim për stabilitetin demokratik, të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës si dhe tema e pajtimit si shtyllë për paqe të qëndrushme.
Java e Gruas 2018, organizohet nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), mbështetur nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Java e Gruas është ngjarje vjetore që ka filluar si pilot projekt në vitin 2012, një ngjarje kombëtare që mbledhë mbi 100 gra dhe burra, përfaqësues të etnive të ndryshme, partive politike, shoqërisë civile, bizneseve, mediave dhe nga akademia.
Ky edicion i Javës së Gruas do të ofrojë diskutim në panele dhe punëtori për ngritjen e shkathtësive në tema relevante si integriteti i partive, transparenca e qeverisë, korrupsioni, ekstremizimi radikal, integrimi i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, të drejtat pronësore, mediat sociale dhe edukimi demokratik.
Programi i Javës së Gruas 2018 ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin e pjësëmarrësve ne lidhje me domososhmërinë e një qeverisje llogaridhënese dhe të përgjegjshme në Kosovë. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë që së bashku të marrin informacione, të promovohen dhe të krijojnë rrjete me ekspertë dhe vendimmarrës nga institucionet qeveritare, për të identifikuar dhe ofruar rekomandime për përfshirje më të madhe të grave në sigurimin e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së qeverisjes në Kosovë.