Një sipërfaqe rekorde e pyjeve është djegur në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara këtë vit. Zjarrfikësit po e vazhdojnë luftën me disa zjarre të mëdha në pjesë të ndryshme të këtij shteti.
Departamenti i Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri ka thënë se deri më tani janë djegur më shumë se 809 mijë hektarë. Vetëm një zjarr ka shkaktuar djegie të një sipërfaqeje prej mbi 2,800 hektarë. Ky zjarr u shkaktua nga një ndejë, ku një familje ishte mbledhur për ta zbuluar gjininë e foshnjës.
Kalifornia është duke u përballur me një valë rekorde të temperaturave të larta. Rajoni i Los Angelesit të dielën e regjistroi temperaturën më të lartë – 49.4 gradë.
Ndonëse pritet që temperaturat të ulen nga e marta, moti mund të jetë me erë dhe kjo mund ta rëndojë gjendjen me zjarret, paralajmëroi Shërbimi Kombëtar i Motit.
Autoritetet njoftuan se më shumë se 14,000 zjarrfikës janë të angazhuar në luftën kundër flakëve. Zjarri më i madh i ka djegur më shumë se 31 mijë hektarë që nga e premtja.
Më shumë se 200 alpinistë u shpëtuan duke u tërhequr me helikopter në një pikë të popullarizuar turistike pasi u rrethuan nga flakët, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.