Në Klinikën e Radiologjisë punohet vetëm me një rezonancë, kërkesat janë nga e gjithë Kosova

Prishtinë | 30 Pri 2018 | 11:24 | Nga
Klinika e Radiologjisë në QKUK, është e vetmja në Kosovë që ka aparaturën e nevojshme dhe që ofron shërbime për të gjithë pacientët që kanë nevojë për ekzaminime radiologjike. Por për shkak të kërkesave të mëdha për marrjen e shërbimeve që ndërlidhen me incizime të sistemit nervor, palcës kurrizore, hemorragjive në tru, qytetarët duhet të presin deri në një vit, pasi që lista e pritjes është tejet e gjatë.Drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Serbeze Kabashi-Muqaj, tha për televizionin publik se është e pamundur të zvogëlohet lista e pritjes, sepse punohet vetëm me një rezonancë, ndërsa shërbimet i kërkojnë qytetarët nga gjitha komunat e Kosovës.

Aktualisht problemi më i madh në klinikë është lista e gjatë e pritjes për rezonancë magnetikë.

“Lista e gjatë e pritjes nuk është e këtyre ditëve por kjo na ka përcjellë me vite, dhe për momentin është e pamundur të zvogëlohet kjo listë, për kundër punës që punohet nga ora 7 e mëngjesit e deri në 19 të mbrëmjes”, ka thënë ajo.

Ndërkaq zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, nëpërmjet postës elektronike i ka thënë televizionit publik se në buxhetin e vitit 2018, për pajisje mjekësore për shërbimet e radiologjisë janë paraparë 800 mijë euro. Gjithashtu, edhe nga buxheti i SHSKUK-së janë ndarë 150 mijë euro, e që janë paraparë për zgjerimin e hapësirave të shërbimit të radiologjisë.

Ndërsa drejtoresha e Radiologjisë thotë së ministri Ismaili u ka premtuar një rezonancë magnetike, me qellim që të shkurtohen pritjet e gjata të pacientëve.

“Edhe nga Menaxhmenti aktual, edhe në SHSKUK, dhe nga ministri aktual kemi premtime se shumë shpejt që do të furnizohemi më një aparat të ri të rezonancës magnetike”, thotë ajo.

Zëdhënësi Hoti ka thënë se në kuadër të investimeve në radiologji, do të bëhet zgjidhje edhe për rezonancën e re si dhe për aparatura të tjera të nevojshme.

Të ngjashme