Në Klinikën e Syve në QKUK kryhen operacione të ndërlikuara

Prishtinë | 10 Gus 2019 | 17:14 | Nga Ekonomia Online

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për herë të parë është kryer operacioni i kataraktës kongjenitale (perdes së lindur në sy).

Ndërhyrja kirurgjike  është bërë tek një fëmijë e moshës 11 muajsh.

Adem Miftari, Drejtor i Klinikës së Syve në QKUK, ka treguar për Telegrafin, se operimi është kryer komplet nga stafi profesional i klinikës, pa pasur nevojë për kirurgë jashtë vendit.

“Operacioni është kryer me anestezion të përgjithshëm, dhe ka shkuar me sukses. Vlen të përmendet një fenomen interesant sepse deri me tani shumicën e këtyre rasteve mos të them të gjitha janë dërguar për trajtim jashtë Klinikës Universitare”, ka thënë Miftari.

Ai ka treguar se në klinikat private jashtë dhe brenda Kosovës, qytetarët japin shuma të mëdha parash për të tilla ndërhyrje.

Më tej, Miftari thotë se qytetarët nuk duhet të dyshojnë në profesionalizmin e mjekëve pasi ka mjaft kuadro të mira në Kosovë.

“Përshtypja e opinionit publik për mosbesimin në profesionalizmin e mjekëve tonë, është për të ardhur keq. Unë besoj se populli jonë megjithatë nuk e ka humbur besimin…., ne kemi mjekë profesionistë, njerëz që dinë e duan të punojnë. Neve na mungon vetem mënyra e organizimit”, është shprehur ndër të tjera Miftari.

Sipas tij, në Klinikën e Syve në QKUK, për gjashtë muaj janë dhënë mbi 20 mijë shërbime spitalore dhe janë kryer 1300 operime.

Në klinikën e syve, prej vitit 1983 deri me tani nuk ka pasur investime në pasurimin e kësaj klinike me mjete të reja të punës, është shprehur Miftari.

Por së fundi, ka thënë ai, klinika në fjalë është pasuruar me aparatura të reja, pothuajse 90 përqind./Telegrafi/

Të ngjashme