Kosovarët ende e shohin dhunën si mundësi për arritjen e marrëveshjeve mes vete. Rasti që ka ndodhur së fundmi në komunën e Rahovecit, ku xhaxhai ushtron dhunë mbi të miturën, e dëshmon më së miri këtë praktikë, vlerësojnë sociologët.
Njohësit e të drejtave të njeriut i hedhin poshtë fjalët e familjes së vajzës se dhuna ndaj saj ka qenë e merituar karshi sjelljeve që ka bërë.
Vajzës 16 vjeçe, nga komuna e Rahovecit, i janë shkelur të drejtat dhe dhuna e ushtruar ndaj saj nuk mund të arsyetohet në asnjë formë ka konstatuar Valentina Demolli, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ).
“Kjo dhunë nuk mund të arsyetohet në asnjë formë e as me deklaratat e nënës dhe drejtorit. Është dashur të përdoret tjetër formë për përmirësimin e sjelljeve të saj, këshillimi, bashkëpunimi me shkollën, pedagogun, psikologun, etj”, ka potencuar Demolli.