Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka thënë se në Kosovë nuk ka kampe stërvitore të ISIS-it. Këto komente ai ka bërë në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë, pas insistimit të deputetit Zafir Berisha nga radhët e NISMA-së se kampe të tilla ekzistojnë në vend.
Maxhuni u shpreh bindshëm në Kosovë nuk ka kampe stërvitore, por shtoi se edhe nëse gjendet ndonjë, atëherë deputeti Berisha duhet të tregoi se ku është ajo stërvitore.
“Kemi njerëz që kanë përfunduar në konflikte të njohura në Lindjen e Mesme, siç janë në Siri dhe Irak, por ata nuk kanë shkuar përmes atyre kampeve të supozuara që pretendohen nga qarqet caktuara”.
“Ne duhet që të gjithë së bashku të mundohemi maksimalisht të japim kontributin tonë secili në pozicionin e duhur, ne si institucion, por edhe nga pozicioni i qytetarit që sa më pak të lëmë hapësirë për të tjerët që ta keqinterpretojnë gjendjen e shtetit tonë…”, ka thënë Maxhuni