Ish-kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Agim Veliu, ka reaguar duke thënë se nëpër nëndegët e fshatrave po bëhen manipulime në procesin zgjedhor, ku bëri të ditur se në fshatin Letanc i cili është i njohur si bastion i LDK-së, është mbajtur fshehtas dhe jashtë tij Kuvendi zgjedhor, i përbërë nga anëtarësia me disa persona pa kredibilitet.
Veliu ka thënë se teksa kryesia po përgatitej për të organizuar një kuvend sa më masiv dhe me përfshirje të gjitha lagjeve dhe me proces votimi të fshehtë, nëse do të kishte më shumë kandidatura për kryetar nëndege dhe delegatë të Kuvendit të Degës, ju erdhi lajmi se tashmë “Kuvendi i Letancit” ishte mbajtur në Zyrën e Degës së LDK-së, tinëz nga anëtarësia dhe me disa persona pa kredibilitet.
“Për falsifikimin e mbajtjes së kuvendit të kësaj nëndege ka reaguar edhe anëtari i kryesisë së Degës,(i cili është edhe anëtar i kryesisë së nëndegës), duke thënë në mbledhje se në nëndegën nga ai vjen nuk është mbajtur ende Kuvendi, por merr përgjigje se kjo punë është e kryer! Edhe kryetari nëndegës së Letancit, përmes reagimit publik, njoftoj opinionin se në këtë fshat nuk është mbajtur kuvendi zgjedhor”, thotë ai.
Veliu thotë se kjo ngjarje “nuk kishte ndodhur as në kohën e okupimit”, teksa pyeti se “nga kush u frikësuan që ai të mbahej me njoftim publik, në territorin e Letancit dhe i organizuar nga ish kryesia legjitime e nëndegës, mos vallë nga ,,ushtria e dokut” siç cilësohej anëtarësia e LDK-së, në zgjedhjet e fundit lokale?!”.